Niveli i lartë i ndotjes së ajrit shihet si rrezik potencial për shëndetin, por edhe jetën e njeriut. Kjo ndotje, shihet si rrezik potencial për njerëzit me sëmundje kronike, ndër të cilët hyjnë edhe fëmijët.
Në Klinikën Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, numri i fëmijëve me probleme respiratore, apo sëmundje të mushkërive, është rritur. Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta se sa fëmijë gjatë vitit preken apo edhe vdesin nga këto sëmundje, profesionistë të fushës thonë se këto probleme shëndetësore lidhen me ajrin e ndotur.
Ajri në Kosovë në përgjithësi, e në veçanti në zonat urbane, është cilësuar të jetë shumëfish më i ndotur se normat e lejuara.
Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës thonë se nuk kanë të dhëna për vdekshmërinë e fëmijëve që lidhen me ajrin e ndotur.