Ditën e sotme Komiteti i Ekspertëve në Shqipëri vendosi që nga data 1 shtator të kufizohet lëvizja, me orën policore që do të jetë 23:00 – 06:00.
Mjeku Ilir Alimehmeti është shprehur se ky ndryshim nuk ka asnjë lloj efekti, pasi nuk ka qenë ora policore ajo që rriti rastet, por variant Delta.
“Ora policore e vetme nuk ka asnjë lloj efekti. Do marrim parasysh një diçka. Ora nuk ka ndryshuar, sot vazhdon e njëtja. Kemi 900 raste në ditë, e njëjta kur ishin dhe 5 raste në ditë. Ora nuk rriti rastet, por ishte varianti Delta, që rriti rastet. I kemi parë koncertet e mëdhaja, kemi parë kampionatet e futbollit me mijëra njerëz të grumbulluar. Duhet të kthehemi te masat elegante. Duhet pasur parasysh që shumë njerëz e kanë kaluar sëmundjen, shumë të tjerë janë vaksinuar dhe duhen trajtuar në këtë mënyrë. Nuk ka ndonjë vlerë të madhe të merresh me orën. Covid 0 nuk egziston. Të evitosh shtrimet në spital çelsi është vaksinimi dhe jo ora policore. Mbështes fort vaksinimin dhe jo orën policore”, tha Alimehmeti në Fax News.
Përsa i përket vaksinimit të detyrueshëm, një tjetër masë e vendosur nga Komiteti i Ekspertëve për një kategori të caktuar njerëzish, mjeku tha se e mbëhstet vaksinimin, por duhet të hiqet dorë nga vaksinimi i detyruar.
“Me detyrim do të thotë që ne kemi dështuar në informim, për të thënë kush duhet ta marri. Detyrimi vendoset kur nuk kemi zgjidhje tjetër. Kur vendoset kjo fjalë ka një ndjenjë të tipit ‘po pse me detyrim’. Prandaj kjo nuk aplikohet shumë. Kur të shkojmë te kjo fjalë, duhet të jenë ezauruar të gjitha. Kur njerëzit t’i kuptojnë të gjitha, atehere i drejtohen vetë vaksinimit, s’ka nevojë për detyrim. Rekomandohet fort që një person që nuk e ka kaluar Covid duhet të vaksinohet.
Ka diçka që mund të ishte bërë në mënyrë më elegante”, u shpreh mjeku.