Në 20 vjetorin e betejës së Likoshanit dhe Qirezit, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga anëtarët e Kryesisë Hydajet Hyseni e Nazlie Bala, poashtu veprimtari Gani Krasniqi, Kryetari i Qendrës së Drenasit Shemsi Elezi e asambleistë e aktivistë të tjerë nderuan sot dëshmorët dhe të rënët.
Kjo betejë do të mbahet mend si e para ku u zhvilluan luftimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur çdo vit kujtojmë përvjetorin e luftës sonë çlirimtare në fillim të atij viti i kujtojmë 24 civilët e masakruar të këtyre dy fshatrave, Likoshanit e Qirezit.
Pra, sa herë që flasim për luftën tonë çlirimtare, është e pamundur të mos kujtojmë martirët, dëshmorët e heronjtë tanë. Sakrifica e tyre është frymëzim për breza, jeta e tyre është testament për shoqërinë. Vdekja e tyre nuk ishte thjesht vdekje. Jeta e tyre ishte synim i një plani kundër shqiptarëve, i hartuar e i mirëmbajtur për qindra vite.
Lavdi martirëve, dëshmorëve e heronjve!