Ende pa filluar zbatimi i Ligjit për Paga 17 sindikata dhe grupe ankuesish nga sektori publik kanë dërguar ankesa tek Institucioni i Avokatit të Popullit. Ky ligj, i cili pritet të fillojë së zbatuari në dhjetor të këtij viti e i cili u miratua në fillimvit, sipas ankesave të sindikatave është duke ndikuar negativisht në interesat e tyre, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndërkohë, Ministria e Financave për “Zërin” ka konfirmuar që ky ligj do të fillojë të zbatohet në dhjetor të këtij viti. Sipas tyre, kostoja buxhetore është e mjaftueshme për mbulimin e këtyre pagave.
Ndërsa sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë, është e domosdoshme që buxheti i Kosovës për vitin 2020 të miratohet gjatë muajit nëntor, në mënyrë që t’i hapet rruga procedimit të pagave nga administrata. Sipas tyre, për t’u kryer këto pagesa në afatin e duhur kohor është i nevojshëm numërimi i tërësishëm i votave, certifikimi i rezultateve dhe konstituimi i institucioneve.
Ligji për Paga në sektorin publik pritet të fillojë së zbatuari në dhjetor të këtij viti. Kështu ka bërë të ditur zyrtari për informim nga Ministria e Financave, Muharrem Shahini.
“Zbatimi fillon në muajin dhjetor, ku të gjithë të punësuarit në sektorin publik po ashtu pagat do t’i marrin në dhjetor të këtij viti sipas ligjit të ri”, ka thënë ai.
Më tutje ai bëri të ditur se ka kosto të mjaftueshme buxhetore për mbulimin e këtyre pagave. “Mjetet financiare në buxhet janë, masa e pagave është e buxhetuar dhe është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare”, potencoi zyrtari i Ministrisë./ZERI