Po mbushen një vit që kur Qeveria e vendit kishte marrë zotimin se gjatë vitit 2022 Kosova do të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Një pjesën e parë të vitit, nuk u pa ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Kurse gjatë qershorit, kryeministri Albin Kurti pati potencuar, se nuk ka hequr dorë nga kjo ambicie.
“Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, ka thwnw ai.
Ndonëse nuk janë ndërmarrë hapa konkret, zotimet në formën deklarative nuk kanë munguar kohë pas kohe.
Tani kur kanë mbetur edhe rreth 30 ditë deri në fund të vitit, në një përgjigje për tëvë1 nga zyra e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, e rikonfirmuan se Kosova do të aplikojë këtë vit për statusin e vendit kandidat.
“Komisioni Ekzekutiv ndërinstitucional për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, po merret me përgatitjet e këtij aplikimi dhe koordinimin përkatës. Siç është shprehur nga Kryeministri Kurti, e poashtu riafirmuar në takimin e parë të këtij Komisioni në datën 23 nëntor, aplikimi do të dorëzohet para fundit të këtij viti. Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vite, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, thuhet nw përgjigje.
Aplikimi për anëtarësim i dorëzohet Presidencës së radhës të Këshillit të BE-së, në këtë rast Çekisë. Këshilli më pas vendos se kur aplikimi i përcillet Komisionit Evropian, i cili ftohet zyrtarisht të përgatisë një Opinion (Avis) mbi meritat e aplikimit të vendit, bazuar në kriteret për anëtarësimi. Parlamenti Evropian dhe parlamentet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së njoftohen gjithashtu për aplikimin. Vendimet në Këshill për statusin e kandidatit miratohen me unanimitet nga të gjitha shtetet. E nëse Komisioni dorëzon një opinion pozitiv, si dhe nëse Këshilli miraton unanimisht një mandat negocimi, atëherë hapen zyrtarisht negociatat midis vendit kandidat dhe Shteteve Anëtare.
Njohësit e çështjeve politike në vend, e kanë parë si të vështirë arritjen e kësaj aspirate të Kosovës, pasi sipas tyre, mosnjohja nga pesë vendet e BE-së e vështirëson aplikimin e suksesshëm për statusin e vendit kandidat.
Nga Brukseli, Kosova nuk është përmendur ndonjëherë për këtë status, përderisa premtimet e para i janë dhënë Bonjë e Hercegovinës.