Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në Ditën ndërkombëtare të zemrës, i është bashkangjitur aktivitetit të vetëdijësimit në qendër të qytetit, i organizuar nga klubi rotarian “Gjilani”, i cili ka për qëllim ta mbrojë shëndetin e qytetarëve dhe për t’i parandaluar sëmundjet e ndryshme.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi përgëzoi klubin rotarin për inicitivën, ka thënë se preventiva nënkupton që do të jetojmë më të shëndetshëm dhe më mirë.
“Sot i jam bashkuar aktivitetit për shënimin e Ditës ndërkombëtare të zemrës dhe pas kontrollit nga doktori e kuptova që zemrën e kam mirë dhe fatmirësisht shenjat janë se do të jetoj gjatë. E rëndësishme është që klubi rotarian në Gjilan dhe profesionistët shëndetësorë po vazhdojnë të kontribuojmë për të mirën e shoqërisë, ku po bëjmë thirrje dhe po mundohemi që t’i edukojmë sa më shumë për zemrën, ndërkohë që ruajtja dhe kujdesi për të është jashtëzakonisht e rëndësishme. Preventiva nënkupton që do të jetojmë më të shëndetshëm dhe më mirë”, ka thënë kryetari Hyseni.
Kryetari i klubit rotarian “Gjilani”, Fadil Rrahmani, ka thënë se kanë vendosur që ta shënojnë këtë aktivitet në mënyrë që sado pak të vetëdijësohen qytetarët për ta mbrojtur shëndetin e tyre.
Ndërkaq, kardiologu Besim Guda ka përgëzuar klubin rotarian për këtë kampanjë vetëdijësimi rreth problemeve shëndetësore dhe zemrës.
“Besoj që kjo kampanjë është shumë e rëndësishme dhe e dobishme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Kryesorja dhe më e rëndësishmja është prevenca, në mënyrë që të mos vije deri te shfaqja e sëmundjeve”, ka thënë dr. Guda.
Ndryshe, aktiviteti ka përfshirë matjen e tensionit të gjakut e glikeminë, derisa qytetarëve u janë shpërndarë fletushka lidhur mbi atë se çfarë është dobësia e zemrës, cilët janë faktorët e rrezikut, ankesat, pse duhet të trajtohet dobësia e zemrës, procedurat dhe kohëzgjatja e trajtimit dhe kontrolla përcjellëse.