Gjilan, 18 maj 2017 – Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, Naser Korça, në konferencën e mbajtur sot para gazetarëve, ka thënë se angazhimi kryesor i kësaj drejtorie ka qenë ngritja e shërbimeve për qytetarët, harmonizimi i të gjitha punëve me ligjin, realizimin e një sërë projektesh me interes për qytetarët, mirëmbajtjen e investimeve, identifikimin e problemeve në infrastrukturë, inspektimin e projekteve infrastrukturore dhe krijimin e ambientit të sigurtë për qytetarët.
“Jemi të përkushtuar në investime publike, mirëmbajtje të projekteve, shërbime më të mira për qytetarët dhe vendosmëri në kualitetin punimeve. Në mirëmbajtjen dimërore, përmes kompanisë kontraktuese, kemi arritur me sukses ta mbajmë gjendjen nën kontrollë dhe në normalitet të plotë. Gjithashtu pastrimi i rrugëve, mirëmbajtja e parqeve dhe hapësirave të gjelbruara është në fazë të vlerësimit, sikur edhe mirëmbajtja verore. Me ndriçimin publik dhe mirëmbajtjen e tij jemi duke punuar vazhdimisht krahas edhe shenjëzimit vertikal dhe atij horizontal”, ka thënë drejtori Korça.
Korça ka pohuar se edhe projekti për hapjen e rrugëve të rendit të tretë dhe projektit të pastrimit të deponive të egra është i gatshëm dhe pritet të nisim gjatë të ardhmes së afërt.
“Përpos projektit për hapje të rrugëve të rendit të tretë dhe pastrimit të deponive të egra, lumenjve dhe punëve të ngjashme, ne po presim nënshkrimin e kontratës për projekte të vogla, ku do të fillojmë më pas me realizimin e një sërë investimesh në gjithë hapësirën e komunës së Gjilanit”, ka bërë të ditur ai.
Drejtori Shërbimbeve Publike në Gjilan ka bërë të ditur se janë kah fundi i punimeve për rregullimin e hapësirës para ish-objektit të ekzekutivit dhe në Ditën e Çlirimit të Gjilanit do të zhvendosen shtatoret e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, për t’u vendosur në një vend dinjitoz.
“Deri tani këto shtatore kanë qëndruar në pronë private, ndërkaq ne po i zhvendosim në pronë publike, në një hapësirë që është qendra e qytetit, pra vend dinjitoz sepse ata ranë për të mos vdekur kurrë”, tha i pari i Shërbimeve Publike në Gjilan, Naser Korça, gjatë adresimit para gazetarëve.
Nga sektori i të hyrave vetanake, sipas tij, janë shënuar përparime të mëdha dhe vetëm për tre muaj janë inkasuar mjete financiare në vlerë prej mbi 82 mijë euro.
Kjo drejtori në bazë të përgjegjësive që ka në këtë fazë ka inicuar projektet për kanalizimin në fshatin Llashticë, Lladovë, Zhegër, pastaj trotuarin në disa lagje dhe fshatra, gjithashtu inicimin për investimin e rrugës “Fehmi Agushi”, rrugën në lagjen e dytë, atë në lagjen e tetë, rrugën në lagjen e “Zabeli” faza e dytë, projektin për varrezat e martirëve në Llashticë, rregullimin e disa urave mbi fshatin Zhegër etj.
Gjithashtu, siç ka thënë ai, është bërë edhe inicimi për detyra projektuese për rrugët në fshatrat Selishtë, Çelik, Pidiq, rregullimi i platosë mbi lumin Mirusha, rregullimi i trotuarit në lagjen “Dardania”, rregullimi i rrugës dhe kanalizimit në lagjen “Porodin”, dhe murit mbrojtës për këtë lagje.