Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me nënkryetaren Leonora Morina – Bunjaku dhe bashkëpunëtorët, kanë vizituar ekspozitën “Art dhe Trashëgimi”, “Një jetë Art”, të autorit prof. Hajrush Fazliu.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, e ka falënderuar prof. Fazliun që e solli këtë ekspozitë, duke i bërë nder Gjilanit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Është shumë me rëndësi që këtë komunitet artistik që e kemi me kaq shumë vlera, janë si rezultat i punës së prof. Hajrush Fazliut. Ju faleminderit shumë që na keni nderuar me ekspozitën dhe shpresoj që nuk do të jetë e fundit”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ndërkaq, nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, tha se prof. Fazliut i jemi mirënjohës i cili me punën e tij e pasuroi edhe Javën e Gruas në Gjilan.
“Është me rëndësi që sot në Javën e Gruas me moton “Ne për Ato”, po e pasuron me prezencën, punën dhe përkushtimin e tij një profesor i nderuar që me vite të tëra ka kontribuar në edukim, kulturë, sport e fusha të ndryshme, në Gjilan dhe kudo në Kosovë. Prandaj, prof. Fazliut i jemi mirënjohës i cili me punën e tij e pasuroi edhe Javën e Gruas në Gjilan”, tha nënkryetarja Morina Bunjaku.
Autori i ekspozitës “Art dhe Trashëgimi”, “Një jetë Art”, Hajrush Fazliu, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për organizimin e shkëlqyer.
Pasi ka uruar për festën e 8 marsit, Fazliu theksoi se vetë dedikimi dhe ekspozita, në opusin e tij krijues, në numrin më të madh të pikturave të prezantuara qëndron krenaria e nënës e gruas, si shtylla e familjes.
Në këtë ngjarje një fjalë përshëndetëse dhe falënderimi e pati edhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri.