Sot rreth orës 12:30, njësiti i planit operativ “Siguria në shkolla” nga stacioni policor i Ferizajt është njoftuar se në një shkollë në Ferizaj, një nxënës i mitur, 13-vjeçar, ishte parë me një armë zjarri në hapësirat e shkollës, ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Lidhur me rastin, Veseli tha se “Policia ka reaguar menjëherë dhe gjatë kontrollit ka gjetur armën (pistoletë) pa fishekë”.
“Arma ishte në pronësi të prindit të nxënësit, që posedonte leje të rregullt për mbajtje të armës”, shtoi ai.
Më pas, “arma e zjarrit dhe municioni janë konfiskuar nga prindi me proces të rregullt policor”.
“I mituri, për shkak të moshës, nuk është intervistuar, në përputhje me ligjin”, pohoi Veseli.
“Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit – Departamenti për të Mitur, i cili ka iniciuar shënim zyrtar, nën kompetencë të prokurorit për veprime tjera”, vijoi tutje ai.
“Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë poseduesit e armëve me leje, e veçanërisht prindërit, që të sigurojnë armët e tyre në mënyrë të sigurt, duke parandaluar qasjen e fëmijëve apo personave të paautorizuar, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë publike”, përfundoi Veseli.