Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ka filluar numërimi 26 mijë e 819 votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, për të cilin u tha se do të marrë rreth dy ditë. Pas përfundimit të këtij procesi, u tha se shpallja e rezultateve të përgjithshme nga KQZ do të bëhet në fillim të javës se ardhshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ky numërim i votave ka ardhur pas verifikimeve të tyre, teksa bëri të ditur se disa prej tyre edhe janë refuzuar.Zëdhënësi i KQZ-së nuk e mohoi mundësinë që vendvotim të shkojë prapë në rinumërim.
“Pasi ta përmbyllim procesin e numërimit të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta janë disa procedura të tjera në QNR që zhvillohen pas procedurës të numërimit, që do t’i hapin rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit të këtij viti. Besojmë që shpallja e rezultateve do të bëhet nga KQZ-ja në fillim të javës së ardhshme”, tha ai.