Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka emëruar 28 noterë rinj, në fund të mandatit qeverisës. Vendimet për emërimin e tyre janë nënshkruar sot nga Haxhiu.
Paraprakisht, Haxhiu ka marrë vendim për ta shfuqizuar Udhëzimin Administrativ Nr. 09/2011 për Procedurën e Konkurrimit dhe Përzgjedhjen e Zyrave Noteriale, që ishte nënshkruar nga ish-ministri Hajredin Kuçi. Ky UA është shfuqizuar para më shumë se dy javësh, shkruan Reporteri.net.
Noterët e emëruar janë shpërndarë në 16 komuna të vendit. Sipas konkursit që ishte shpallur, pesë janë në Prishtinë, pesë në Prizren, një në Ferizaj, tre në Podujevë, dy në Vushtrri, një në Gllogoc, një në Malishevë, një në Istog, një në Klinë, dy në Fushë Kosovë, një në Dragash, një në Kaçanik, një në Zveçan, një në Ranillug, një në Partesh dhe një në Leposaviq.
28 noterët e emëruar janë nga konkursi që ishte shpallur në muajin shkurt të këtij viti, ku afati për dorëzimin e dokumentacionit ishte deri më 21 shkurt./Reporteri.net