Mbi 15 mijë është shifra e nënshkrimeve në peticionin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.
Kështu bëjnë të ditur nga iniciativa “Pro tërheqjes së 30% të Trustit”.
Adnan Jashari duke folur për Front Online ka treguar se ky peticion do të procedohet në Kuvendin e Kosovës në fundjavë.
Kemi filluar prej javës së kaluar dhe deri më tani kemi arritur të i sigurojmë më shumë se 15 mijë nënshkrime. Synojmë që deri në fund të kësaj jave të i dërgojmë në Kuvend, por shkaku që nuk e kemi mbyllë mbledhjen e nënshkrimeve dhe ndonjë procedurë nuk po preferojmë të caktojmë datë”, u shpreh Jashari për Front Online.
Jashari deklaroi se mbledhja e nënshkrimeve për këtë peticion do të përfundojë nesër.
“Prej nesër fillojmë t’i grumbullojmë të gjitha nënshkrimet edhe prej disa qytete që edhe sot po nënshkruajnë ku nesër do të përfundojë edhe ky peticion dhe menjëherë e përgatisim shkresën për hartim të projektligjit dhe bashkë me nënshkrimet i dorëzojmë në Kuvendin e Kosovës”, potencoi ai.
Gjatë javës së kaluar në Kuvend ishte rrëzuar nisma e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.
Kundër kanë votuar deputetët Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 102 deputetë në sallë, 44 patën votuar për, 57 kundër dhe 1 abstenim.