Në Gjilan u hapën zyrat e Partisë Socialdemokrate, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Në praninë e mbështetësve të shumtë, kryetari Shpend Ahmeti dhe sekretarja e përgjithshme Aida Dërguti paraqiten parimet themelore dhe synimet politike të PSD-së. Duke i falënderuar bashkëqytetarët për pjesëmarrjen dhe duke i ftuar ata për angazhim politik koordinatorja e Partisë Socialdemokrate për Gjilan, deputetja Besa Baftiu, foli për potencialin dhe interesimin e qytetarëve të Anamoravës për projektin e ri politik të PSD-së”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se Gjilani shënon pikënisjen e shtrirjes dhe zgjerimit të Partisë Socialdemokrate gjithandej Kosovës.
“Ndërtimi i një alternative demokratike ndaj keqqeverisjes, për ta transformuar Kosovën drejt një republike qytetare, zhvillimore dhe sociale me mundësi të barabarta për të gjithë, mund të jetësohet vetëm përmes pjesëmarrjes së qytetarëve vendimmarrës, të organizuar përmes Partisë Socialdemokrate, nëpër fshatra, lagje dhe qytete”, thuhet në komunikatë.