Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, ka bërë sot hapjen e zyrës për Këshillin e Nxënësve të shkollave të mesme për të krijuar nivel më të lartë të trajtimit dhe zgjidhjes së përbashkët të çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me arsimin e mesëm dhe me nxënësit në përgjithësi.
Në hapjen e saj drejtori i kësaj Drejtorie, Nazim Gagica, ka thënë se ky është hap me rëndësi sepse në kuadër të drejtorisë do të jetë edhe zyra e këshillit me të cilën do të thellojnë bashkëpunimin për të ofruar zgjidhjet më të mira për nxënësit e komunës së Gjilanit.
“Është kjo zyre e para në nivel të Republikës së Kosovës që po hapet për këshillin e nxënësve. Me angazhime konkrete do të vazhdohet bashkëpunimi edhe gjatë të ardhmes. Hapi i parë i konsultimit të përbashkët dhe i mbështetjes së plotë të nxënësve ka qenë vendimi për anulimin e parambrëmjeve dhe është mbështetur nga nxënësit, prindërit dhe nga shkollat në përgjithësi. Hapa të tillë do të ndërmerren edhe gjatë të ardhmes, gjithmonë në shërbim të nxënësve, ngritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve më të mira”, ka potencuar ai mes tjerash.
Kurse, kryetari i këshillit të nxënësve të shkollave të mesme, Ensar Shaqiri, ka falënderuar Komunën e Gjilanit, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, për hapësirën e ofruar dhe bashkëpunimin për të gjitha çështjet e nxënësve.
Ai ka thënë gjithashtu se me këtë ofrim së bashku dhe me përfshirjen e këshillit në vendimmarrje do të bëhen gjithmonë zgjidhjet më të mira të mundshme.