Në Gjilan është organizuar konferenca informuese për zhvillimin e sektorit privat në këtë komunë, që është bashkëorganizim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, theksoi se në këtë tryezë janë paraqitur dhe diskutuar sfidat e sektorit privat si dhe shërbimet dhe programet zhvillimore që ofrohen nga Qeveria në nivel kombëtar dhe lokal.
“Ishtë një takim bukur i frytshëm, ku kishim një numër të madh biznesesh prezentë. Kjo ngjarje në kuadër të “Ditët e Biznesit të Vogël 2019” ka për qëllim të zhvilloj dialogun publiko- privat i cili, së bashku me fuqizimin e ndërmarrësisë, është më se i domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit privat, respektivisht zhvillimit ekonomik”, tha Tahiri.
Tahiri tha se është shumë e rëndësishme që ta kemi zërin e bizneseve lidhur me zonat e reja turistike, sikurse edhe në promovimin e infrastrukturës së bizneseve.
“Në tryezë diskutuam edhe për planifikimet që i ka Komuna dhe DZHE lidhur me aktivitetet të cilat planifikojmë t’i mbajmë gjatë vitit 2020 dhe planifikimin për Planin Zhvillimor Komunal”, tha ajo.
Gjatë vitit 2018, Komuna e Gjilanit ka organizuar katër aktivitete të përbashkëta me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, dy konferenca informuese me biznese, panairin me gratë artizane, sikurse që janë identifuar edhe potencialet e turizmit.