Nën organizimin e Zyrës së Kryetarit, në Gjilan është mbajtur sot tryezë me gratë e suksesshme dhe gratë ndërmarrëse nga Gjilani me temen “Roli i gruas shqiptare në mërgatë”.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, në emër të kryetarit Haziri i ka përshëndetur të pranishmet, ndërkaq i ka përgëzuar gratë ndërmarrëse për guximin për të menaxhuar kompani të suksesshme.
Ai ka shfaqur zotimin se të gjitha kërkesat e grave ndërmarrëse do të trajtohen një për një, në mënyrë që t’u ndihmohet atyre që operojnë në Gjilan dhe të lidhin ura bashkëpunimi me gratë që veprimtaritë e tyre të suksesshme i ushtrojnë nëpër shtetet europiane.
Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini, është shprehur se Komuna, përpos që po i mbështetë dhe inkurajon vazhdimisht gratë që të merren me veprimtari biznesore, u ka besuar pozita të rëndësishme në vendimmarrje.
Kurse, drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Valbona Tahiri, në tryezën e sotme, ka informuar se numri i grave ndërmarrëse ka shënuar rritje gjatë këtij viti me 77 gra të cilat kanë rexhistruar biznese, për dallim me vitin e kaluar që kanë qenë 66 sosh.
Ajo tha se gratë ndërmarrëse nga Gjilani janë shtresa më e çmuar e shoqërisë, përderisa i ka garantuar ato se Komuna do t’iu ndihmoj me krejta kapacitetet në aspektin e përgatitjes së dokumentacionit për të konkurruar për grante në agjencione të ndryshme të shteteve mike.
Gjatë tryezës, kanë paraqitur pikëpamjet dhe kërkesat e tyre, Vjosa Haziri, Igballe Hajdari, Hysnie Ismajli Kurteshi etj., përderisa përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit janë zotuar në përkrahje dhe shqyrtim të këtyre kërkesave me seriozitetin më të madh.