Në Gjilan mbahet turneu mbarëkombëtar në futboll të femrave “Kupa e Pavarësisë”
Në shënim të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur turneu mbarëkombëtar në futboll të femrave “Kupa e Pavarësisë”.
Turneun, në të cilin kanë marrë marrë pjesë KF “Intelektualet” nga Gjilani, KF Tirana, KF Tetova dhe KF Kosova (Prishtinë), e kanë shpallur të hapur kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi Emini dhe udhëheqësi i Njësisë për Sport, Malazog Hoxha. “Shfrytëzoj rastin t’ju uroj të gjithëve 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe t’i falënderoj klubet e femrave për pjesëmarrjen në këtë turne.
Gjatë këtij 10-vjeçari sporti në përgjithësi ka arritur suksese edhe në arenën ndërkombëtare. I dëshiroj suksese vajzave sot dhe uroj që edhe në të ardhmen të prezantoni vendin tuaj në arenën ndërkombëtare dhe të sillni trofe, qoftë në Tiranë, Tetovë, Prishtinë, Gjilan e gjetiu”, tha Kurteshi Emini.
Ky është turneu i parë i kësaj natyre në nivel të Republikës, ndërkaq është mbajtur në stadiumin ndihmës i cili është financuar nga Komisioni Europian. Ndërkohë, gjatë ditës është paraparë të hapet Ekspozita kolektive e te rinjve në Shtëpinë e Rinisë (17:00), Ekspozita me fotografi nga Dita e Pavarësisë në Galerinë e Qytetit (18:00), përderisa në ora 19:00 jepet shfaqja “Një nate ne hotel”, në teatrin e qytetit.