Nën organizimin e Agjencionit Zhvillimor Rajonal AZHR – lindje dhe në mbështetje të Ministrisë për Zhvillim Rajonal, në Gjilan janë mbledhur kryetarët e komunave të regjionit lindje në tryezën me temën “Roli i nivelit lokal në promovimin e Agjendës së Gjelbër”.
Në emër të kryetarit Komunës, Alban Hyseni, ka folur nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, e cila tha se Tryeza ka për qëllim të ofrojë rekomandime të politikave, praktikave më të mira, mjeteve dhe qasje për të menaxhuar transformimin në një ekonomi të gjelbër.
“Duke patur parasysh që implementimi i Agjendës së Gjelbër kërkon një çasje gjithëpërfshirëse, bashkëpunimi ndërkomunal është tejet i rëndësishëm për arritjen e konsenzusit ndërmjet kryetarëve të komunave të rajonit Lindje në intensifikimin e bashkëpunimit të tyre me qëllim të promovimit sa më efikas dhe implementimit të Agjendës së Gjelbër”, ka thënë, veç tjerash, nënkryetarja Morina Bunjaku.
Agjenda e Gjelbër është marrëveshje evropiane që synon zbatimin e një strategjie të re zhvillimore duke bërë ndryshimet e nevojshme strukturore, me qëllim të neutralizimit të ndryshimeve klimatike dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Kjo marrëveshje ambicioze ofron një plan veprimi konkret për të bërë kontinentin evropian neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050.
Palët e pajtuara për të zbatuar agjendën në fjalë duhet të bëjnë reforma politike dhe financiare për të rritur përdorimin efikas të burimeve të tyre në mënyrë që të përshpejtohet tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të gjelbër.
“Për më tepër, marrëveshja përshkruan edhe ndërmarrjen e masave të nevojshme dhe të duhura për mbrojtjen e ekosistemit ku jetojmë dhe ruajtjen e biodiversitetit. Ulja e nivelit të ndotjes së ajrit, pakësimi i emetimeve të gazrave serrë, ulja e ndotjes së burimeve të ujit si dhe reduktimi i ndotjes akustike, është synim tjetër i rëndësishme i përfshirë në një ndër objektivat per tu arrit ne kauder te kesaj marreveshjeje”, ka theksuar Morina Bunjaku.
“Përmbushja e kritereve të vendosura në Agjendën e Gjelbër do të sillte Kosovën në një pozitë më të mirë se më parë dhe do të kontribuonte direkt edhe në përmbushjen e kritereve të pikave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe asaj të Deklaratës së Sofjes. Rruga drejtë zbatimit të Agjendës së Gjelbër kërkon përkushtim të madh dhe trajtim me prioritet të lartë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe akterëve relevantë”, ka shtuar nënkryetarja e Gjilanit.