Ka nisur sot në Gjilan aktiviteti i madh humanitar për “Dhuro…bëj të lumtur dikë”, i cili organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me qëllim që t’u dalë në ndihmë sa do pak njerëzve në nevojë, duke dhuruar rroba, veshmbathje për mosha të ndryshme, si dhe lodra për fëmijë.
Deri tani, qytetarët, Këshilli i Bashkësisë Islame dhe kompania “Durrësi”, kanë dhuruar më shumë se dy tonë veshmbathje për mosha të ndryshme.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka shprehur falënderim për solidaritetin, duke bërë thirrje që mbështetja për njerëzit në nevojë të vazhdoj gjatë tërë ditës sotme dhe në vazhdim. “Me aktivitetin e sotëm, Gjilani po del të jetë qendra më e madhe administrative më sociale në Ballkanin Perëndimor.
Përveç kësaj, i kemi ndërtuar 65 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale, i kemi renovuar 40 shtëpi dhe për 40 familje të tjera po paguajmë qira.
Nuk duhet harruar edhe mbrëmjen humanitare për mbështetje ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, prej së cilës kanë përfituar organizatat që i trajtojnë këto raste.
Jam krenar me solidaritetin e njerëzve të vullnetit të mirë”, ka thënë kryetari i Gjilanit. Ky aktivitet po mbahet në Ditën Ndërkombëtare të Humanizmit, në sheshin “Agim Ramdani”, në kuadër të Muajit të Mërgatës.