Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit në Gjilan ka filluar kampanja e pastrimit “Green and Clean”, e cila do të zgjasë deri më 5 qershor 2023.
Në një konferencë për media, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se qëllimi i kësaj kampanje është që Gjilani të shndërrohet në një prej komunave më të pastra dhe më ekologjike në Kosovë.
Kryetari Hyseni bëri të ditur se në kuadër të kësaj kampanje janë paraparë të mbahen dhjetëra aktivitete në lokacione të ndryshme.
“Pastrimi i rrugëve, lagjeve, fshatrave, pastrimi i institucioneve komunale, arsimore dhe shëndetësore, pastrimi shtretërve të lumenjve, eliminimi i deponive ilegale, mbjella e drunjve dekorativë në disa prej zonave të qytetit dhe në hapësira të ndryshime publike, mbjellja e luleve në të gjitha rreth-rrotullimet e qytetit, shtimi i numrit të kontejnerëve të mbeturinave, pastrimi i Pendës së Livoçit dhe Përlepnicës, do të bëhet shënimi i Ditës botërore e biçiklistëve si dhe do të organizojmë disa ecje apo hiking në disa zona të qytetit”, tha Hyseni.
Mes tjerash, kryetari Hyseni theksoi se në kuadër të kësaj kampanje, përveç mekanizmave institucionalë, do të jenë të përfshirë edhe këshillat e bashkësive lokale të fshatrave, qytetarë e nxënës të shkollave.
Si rrjedhojë, Hyseni u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Gjilanit, por edhe përfaqësuesve institucional politik që t’i bashkohen kësaj kampanje.