Në takimin e organizuar sot në qendrën e OSBE-së në Gjilan ku e pranishme ishte kryesuesja e OSBE-së dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, ndihmës sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe zëvendësdrejtoresha ekzekutive e UN Ëomen Asa Regner, që fokus kishte temën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se angazhim i përditshëm i tij dhe mandatit qeverisës në Gjilan ka qenë pozita, siguria dhe të drejtat më të avancuara të grave në shoqëri.
Kryetari Haziri ka falënderuar ministren Linde dhe ndihmë sekretaren e OKB për prezencën e tyre dhe mbështetjen që edhe më tutje të vazhdojnë punën për mbështetjen e grave dhe kujdesin institucional që ato të kenë të drejtat, përgjegjësinë ekzekutive në institucione dhe sigurinë e plotë për të vepruar të pavarura.
“Gjilani është një shembulli mirë në angazhimin dhe ngritjen e pozitës së gruas në shoqëri. Është bërë një angazhim shumë i madh ndërinstitucional, por edhe i Shoqërisë Civile për mbrojtjen e grave, përkrahjen e tyre, promovimin e shoqërisë pa dhunë në familje, sepse vetëm të bashkuar dhe me vizion të qartë të barazisë me vlera mund të arrijmë suksese në dobi të shoqërisë. Gjilani ka aktive gratë në pozita të larta udhëheqëse dhe menaxheriale, që nga kryesuesja e Kuvendit të Komunës, pozitat udhëheqëse në ekzekutiv, menaxhimin e kujdesit ndaj grave të dhunës në familje, pozitat më të larta në Policinë Regjionale të Kosovës, e deri te organizimi shumë i fuqishëm i Mekanizmit kundër dhunës në familje dhe UN Ëomen dhe në shumë sektorë të tjerë të rëndësishëm në Komunë. Me mbështetjen dhe përkrahjen që kemi marrë sot do të vazhdojmë tutje për një shoqëri të barabartë ku burrat dhe gratë të bëjnë vepra që janë në shërbim të përgjithshëm”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e saj Ann Linde, ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë dhe kryesuese e OSBE-së, ka thënë se Kosova ka shënuar një interes të jashtëzakonshëm që të ketë nivel të lartë të barazisë gjinore në nivelin lokal dhe atë qendror.
“Pozita e gruas në Suedi është trajtuar në të gjitha nivelet në 3 ose 4 dekadat e fundit dhe është konstatuar se rezultatet gjithnjë janë pozitive në të gjitha nivelet e përgjegjësisë së grave. Gruaja është në agjendën Europiane dhe pretendohet që pozita e saj të shënojë përmirësim të vazhdueshëm në të gjitha dimensionet. Jam njoftuar se dokumente të ndryshme në Komunën e Gjilanit diskutohen edhe nga Grupi i Grave, që nga buxheti, strategjitë, vendimet me rëndësi të përgjithshme e deri te projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me pozitën e grave, mbrojtjen e tyre dhe avancimin në bazë të vlerave në shoqëri. OSBE është mbështetëse e vazhdueshme në këtë drejtim dhe do të punojmë edhe më tutje që të shënojmë hapa pozitivë”, ka thënë ajo ndër të tjerash.
Ndihmëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara Asa Regner ka theksuar se me përkushtim maksimal dhe me punë të përditshme është vazhduar për përmirësimin me praktika më të mira të pozitës së gruas në shoqëri dhe eliminimin e dhunës ndaj grave.
Gjithashtu, në këtë takim kanë prezantuar përvojat e tyre të punës dhe sfidave edhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, zyrtarja për barazi gjinore, Lindita Salihu, ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Gjylshene Berisha, kolonelja e Policisë Regjionale të Gjilanit, Elmina Mahmuti, etj, duke qenë falënderuese për angazhimin e përbashkët në Komunën e Gjilanit që gjithçka të jetë për kushte dhe mundësi të barabarta në shoqëri dhe vendimmarrje me mbështetjen e vazhdueshme të kryetarit Lutfi Haziri.