Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me shoqatën “Yarin”, kanë organizuar koncert për 20 vjetorin e themelimit të kësaj shoqate dhe njëkohësisht me pjesëmarrjen e grupit “Krizantem Quartet” nga Universiteti Trakya të Edirnes, universitet në të cilën Leyla Osmanzade-Erkin, qytetare nga Gjilani, është profesoreshë në këtë institucion dhe e shpërblyer si artistja e vitit 2018 në Kosovë e shpallur nga shoqata e artistëve turk në Kosovë.
Në këtë eveniment kulturor kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, përfaqësues të KFOR-it turk dhe pjesëmarrës të tjerë të shumtë.
Në fjalën e tij nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka thënë se Komuniteti turk në Gjilan është i integruar plotësisht në jetën shoqërore dhe njëkohësisht është kontribues i vazhdueshëm në të gjitha sferat në Gjilan.
Ai në emër të kryetarit të Komunës, ka ndarë një mirënjohje në shenjë falënderimi për shoqatën “Yarin”, e cila ka qenë organizatore dhe kontribuuese në shumë aktivitete brenda Komunës së Gjilanit, duke sjellë edhe donator të ndryshëm të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për komunitetin dhe qytetarët në përgjithësi.
Kurse, në fjalën e tij ambasadori i Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, ka falënderuar institucionet lokale për bashkëpunimin që kanë me përfaqësuesit turk në Kosovë dhe për trajtimin e barabartë që e bëjnë ndaj komunitetit turk në këtë Komunë.
Ambasadori gjithashtu ka shprehur falënderimin e tij edhe për veprimtarinë të cilën e ka bërë deri më tani shoqata Yarin në fusha të ndryshme në Gjilan.