Në komunën e Gjilanit janë konfirmuar mbrëmë 10 raste të reja me koronavirus, ndërsa është marrë vendim që të mbyllet përkohësisht edhe Klinika e Pediatrisë në Spitalin Regjional të Gjilanit.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Selami Xhemaili, ka bërë të ditur për se sot pritet të testohen rreth 50 persona të rasteve të kontaktit me personat që kanë dalë pozitivë.
“Dje janë testuar 28 persona, ku 10 kanë dalë pozitivë, ndërsa sot do të testohen 50 raste kontakti, që kryesisht janë familjarë dhe kolegë të punës të personave që kanë dalë pozitivë mbrëmë”
Ai më tutje ka treguar për vendimin që është marrë për mbylljen e Pediatrisë në Spitalin e Gjilanit ka ardhur pasi një infermiere që punon në një spital privat në Prishtinë ka dalë pozitive me COVID-19, ndërsa nëna e saj punon në Pediatri të Gjilanit dhe për këtë është testuar i gjithë stafi pas mbylljes.
“Është testuar stafi i Pediatrisë, një pjesë e tyre kanë dalë negativë dhe një pjesë tjetër do të testohen sot”, ka thënë Xhemaili.