Sot, më 15 prill 2025, në ambientet e Restaurant “Planet” në Gjilan, u mbajt takimi i përbashkët me akterë të ndryshëm lokalë në kuadër të projektit “Gjuha e Shenjave për të Gjithë”, i përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.
Gjatë takimit, u prezantuan rezultatet e hulumtimit me nxënës dhe pjesëmarrës të tjerë, si dhe u hap diskutimi për hapa të mëtejshëm që duhet ndërmarrë për avancimin e kësaj fushe në nivel lokal.
Disa nga rekomandimet kryesore që dolën nga ky takim ishin:
Krijimi i një moduli apo futja e gjuhës së shenjave si lëndë zgjedhore në kurrikulën shkollore;
Ofrimi i trajnimeve më të shpeshta dhe të strukturuara për mësimdhënës dhe profesionistë të fushës;
Zhvillimi i aktiviteteve të rregullta për vetëdijesim dhe përfshirje sociale;
Përfshirja më e madhe e vetë personave të shurdhër në dizajnimin dhe realizimin e aktiviteteve të tilla.
Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një komuniteti më gjithëpërfshirës dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të personave të shurdhër. Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar.
Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi të gjitha aktivitetet që janë realizuar gjatë këtij projekti, veçanërisht në shkollat e mesme të komunës së Gjilanit, duke promovuar rëndësinë e përdorimit të gjuhës së shenjave si një mjet për gjithëpërfshirje dhe barazi.