Në Sallën e Profesorëve të Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini” është mbajtur mbledhje komemorative për profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Tefik Selimi, i cili ka ndërruar jetë në moshën 71- vjeçare.
Sami Hoxha, drejtor i Gjimnazit, ka thënë se Tefik Selimi, ka dhënë kontribut të cmuar në mësimdhënie e në gazetari, kurse për gjimnazin kjo është një ditë jo e zakontë, ditë dhimbjeje sepse po ndahet me profesorin e saj, por edhe ditë krenarie për punën që ai ka bërë. Ai i ka shprehur ngushëllime familjes e kolegëve, ngase ai përjetësisht ishte i lidhur me gjimnazin, bile edhe pas kohës kur ai shkoi në pension.
“Tefik Selimi ishte mësues i gjeneratave të reja, gazetar, poet, biografishkrues e historiograf e mbi të gjitha njeri e mik i mirë, si dhe një punëtor i madh, që ia la një veopër të madhe e të rëndësishme gjimnazit – biografinë. Ai la një familje të mrekullueshme e veprat e tija na e rikthejnë kujtesën”, tha Sami Hoxha, drejtor.
Mehmetali Rexhepi, ish- drejtor i Gjimnazit dhe letrar, ka folur për jetën dhe veprën e Tefik Selimit nga disa këndvështrime, ato prej mësimdhënësi e prej letrari e gazetari, duke thënë se Tefiku nuk la ngjarje pa përcjellë, shkroi vepra letrare, shkroi për dukuri e për personalitete letrare, kurse ishte veprues edhe pas pensionimit, sikurse që ishte i pandalshëm edhe nëpër veprimtari letrare e kulturore.
“Do të na mungojë, do të na mungoj qasja e tij, ai e donte gjimnazin dhe i çmonte kolegët”, tha Rexhepi.
Nazim Gagica, drejtor i Arsimit në Gjilan, në emër të kryetarit Lutfi Haziri dhe të DKA-së, tha se i preku vdekja e profesorit Tefik Selimi. Ai tha se kanë konsideratë të madhe për punën mbi 40- vjeçare të Tefik Selimit e atë e konsideroi si një intelektual të gjithanshëm, i cili e përmbushi misionin e tij.
Në emër të familjes, i biri i Tefik Selimit, Armendi, tha se babai i tyre i la fizikisht, por se ai gjithmonë do të mbetet në kujtesë.
“Babai para vdekjes ishte në përfundim të një vepre të tij, andaj ta çojmë deri në fund veprën e tij”, tha Armend Selimi, që ka falënderuar pjesëmarrësit dhe organizatorët.
Varrimi i prof, Tefik Selimit do të bëhet në Varrezat e Fshatit Nasalë, që ishte edhe vendlindja e tij.