Pasi për 2 vite u dëgjuan më shumë se 210 dëshmitarë të prokurorisë në gjykimin kundër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, prokuroria të premten do ta përmbyll këtë proces, nga lista fillestare e së cilit hoqi më shumë se 140 dëshmitarë.
Thaçi dhe të tjerët, të akuzuar për bashkëveprim në krime lufte, kanë mohuar fajësinë për akuzat dhe ajo çfarë do të ndodhë menjëherë pasi prokuroria në Hagë të mbyllë këtë proces, është kërkesa e mbrojtjes për të hedhur disa nga akuzat.
Avokati ish presidentit, Hashim Thaçi, Lluka Misetic i ka thënë Radio Kosovës se “mbrojtja ka gjasa të kërkojë të hedhjen e disa pikave të akuzës”.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, gjykatës së vendosur në Hagë, Angela Grep, ka thënë se nëse mbrojtja e të akuzuarve do ta bëjë një kërkesë të tillë, ekipi i avokatëve ka njoftuar se i duhen 4 javë për t’u përgatitur për këtë pjesë.
“Nëse trupi gjykues refuzon kërkesën e mbrojtjes për hedhje të akuzave, mbrojtjes i jepet kohë për t’u përgatitur për çështjen përkatëse”, ka thënë Griep.
Zyra e Këshillit të Viktimave ka kërkuar gjithashtu që të dëgjohen dëshmitarët e saj.
Griep megjithatë nuk ka treguar nacionalitetin e dëshmitarëve të viktimave dhe as se për cilat raste të përfshira në aktakuzë do të dëshmojnë.
“Gjatë seancave të fundit, Këshilli i Viktimave ka njoftuar se dëshirojnë të paraqesin 3 apo 4 dëshmitarë dhe do t’u duhet një apo dy javë për të paraqitur dëshmitarët e tyre në këtë rast”, ka thënë ajo.
Mbrojtja e të akuzuarve ka njoftuar se nëse refuzohet kërkesa për hedhje të akuzave do t’i duhen 10 javë pune për të përgatitur rastin. Megjithatë trupi gjykues do të vendos për kohën e saktë që do t’u jepen palëve për të përgatitur për rastet e tyre.