Ligji për kazinot nuk po vlen edhe për fshatin Karaçevë të Kamenicës. Në vendin ku fillon zona neutrale, e cila monitorohet nga njësitet e KFOR-it, qysh në hyrje të fshatit tash e disa muaj po operojnë shtatë kazino ilegale. Banorët e kësaj ane po shprehën të shqetësuar se biznese të tilla do t’u sjellin telashe, e të njëjtit po ankohen se nuk kanë asgjë në dorë.
Shefki Keka, është banori më i vjetër i Karaçevës.
Ai për KosovaPress thotë se kjo anë asnjëherë nuk ka qenë më e rrezikuar se tani. 87 vjeçari shpreh shqetësimin se si për shkak të këtyre bizneseve ilegale banorët janë në rrezik.
Derisa shumë banorë të fshatit Karaçevë thonë se prezenca e lokaleve të tilla është shqetësuese, ata nuk duan edhe të flasin para kamerës, nga frika se mund të kenë pasoja.
Administratori i fshatit Karaçevë, Armend Kastrati thotë se operimi i këtyre bizneseve është shqetësim i madh, e për këtë shton se kanë biseduar edhe me kryetarin e Komunës së Kamenicës.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se Policia e Kosovës nuk mund të ndërhyjë në këtë pjesë pa marrë leje nga KFOR-i.
Krahas kësaj, ai thekson se çështjet të cilëve u takojnë atyre si komunë, kanë kërkuar asistencë nga Policia e Kosovës, e po ashtu kanë ngritur shqetësimin edhe me KFOR-in.