Kardiokirurgu, Shpejtim Shurdhiqi ka thënë se në Klinikën e Kardiokirurgjisë lista e pritjeve nga pacientët për intervenim nga mbi 1 vit është zvogëluar në dy muaj.
Ai ka thënë se kjo është bërë falë angazhimit dhe punës së stafit.Shurdhiqi në emisionin “Ditari” në Tëvë1, tha se në këtë klinikë kryhen shërbime si në qendrat me të mëdha në aspektin e nivelit kardiokirurgjik.
“Lista e pritjes së pacientëve mbi 1 vit kemi arritur të shkurtohet në dy muaj, pra një pacient i joni nuk pret më shumë se dy muaj, rastet urgjente dhe emergjente kryen aty per aty dhe rastet të cilat kryehen në qendrat më renome në aspektin e nivelit kardiokirurgjik”, tha ai.
Kardiokirurgu foli edhe për mungesën e anesteziologëve në QKUK dhe në këtë Klinikë. Ai tha se mungesa e tyre paraqet sfidë për ta, por tha se është gjetur një mirëkuptim që për shkak të natyrës së kësaj klinike të veprojë në maksimum në shërbimin e ofrimeve.
“Mungesa e tyre është domethënëse shpesh na ndodhë që në mungesë të tyre rastet të dështojnë. Meqë se natyra e sëmundjeve kardiokirurgjike kërkon urgjencë dhe emergjencë kemi pasur një mirëkuptim që klinika jonë të veprojë në maksimumin e mundshëm në zgjidhjen e problemeve kirurgjik”, tha ai.