KFOR-i gjatë ditës së sotme ka shtuar numrin e ushtarëve dhe patrullimeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës përfshirë edhe veriun e vendit.
Nga fotografitë e publikuara sot, shihen pjesëtarët e Misionit Paqeruajtës, “KFOR” duke patrulluar në kufirin neutral Kosovës – Serbi dhe po ashtu në zonën ku gjenden Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, shkruan Reporteri.net
“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, thuhet në deklaratë.