Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), ka bërë të ditur se në tri pika kufitare të daljes nga Kosova, kërkohet testi për Covid-19.
QKMK në njoftimin e orës 13:00 të ditës së sotme, ka bërë të ditur se si qëndron fluksi nëpër pikat kufitare.
Në përgjithësi gjendja është e qetë dhe nuk ka fluks të madh në pikat kufitare të Kosovës, as në hyrje e as në dalje.
Diçka që bie në sy është një njoftim që tregon se në tri pikat kufitare për dalje nga Kosova, kërkohet testi i koronavirusit, nga shtetet fqinje.
Në pikat kufitare Glloboqicë dhe Han i Elezit që lidhin Kosovën me Maqendoninë e Veriut, kërkohet testi për Covid-19. Test i tillë nevojitet edhe në pikën kufitare në Kullë, që e lidhë Kosovën me shtetin fqinj Malin e Zi.
Kujtojmë që dy javët e fundit rastet me koronavirus janë rritur shumë në Kosovë dhe shtetet fqinje në rajon.
Deri më tani në Kosovë janë total 4100 raste pozitive nga 26.425 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 86 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se deri më dje janë shëruar gjithsej 2.063 raste, kurse raste aktive janë 1.951. /gazetametro.net