Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, kongresmeni Brian Mast ka paraqitur për miratim në Kongresin amerikan një dokument me gjuhë të qartë politike mbi Ballkanin, duke e rikthyer Kosovën dhe rajonin në prioritetet strategjike të SHBA-së.
Dokumenti vlerësohet si moment i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Amndamenti përcakton disa pika kyçe të politikës amerikane:
– Mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO;
– Presion mbi Serbinë për të reduktuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën;
– Ekspozim të bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin në fushën e teknologjisë dhe sigurisë;
– Zgjerim të sanksioneve ndaj atyre që pengojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Njoftimi u dha edhe Organizata “Albanians for America” e cila ka bërë të ditur se ka qenë aktive gjatë gjithë procesit, duke lobuar që zëri i komunitetit shqiptar dhe i Kosovës të dëgjohej në Washington.
Nga kjo organizatë, një falënderim i veçantë është adresuar për kongresmenin Keith Self, i cili sipas tyre siguroi përfshirjen e këtij amendamenti në projektligj, si dhe për Kryetarin Mast për lidershipin e tij në këtë nismë – e para që nga viti 2002.
Ky zhvillim shihet si një forcim i lidhjeve mes SHBA-së dhe Kosovës, duke garantuar paqe, siguri dhe një të ardhme të qartë euroatlantike për rajonin.