Në kuadër të planit të punës për vitin 2023, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë e Komunës së Gjilanit me datë 25.02.2023, ka organizuar trajnimin për pemëtarët.
Trajnimi me titull “Krasitja e pemëve”, ishte një ditor i ndarë në dy pjesë teorike dhe atë praktike.
Krasitja është arti i ndryshimit të mënyrës natyrore të rritjes së pemëve, në një rritje më të përshtatshme për të prodhuar një sasi dhe cilësi më të lartë. Roli i krasitjes është shumë i madh dhe ndonjëherë edhe vendimtar për prodhimtarin e pemëve.
Aplikimi i krasitjes rritë jetëgjatësinë e pemës dhe eliminohen edhe degëzat. Përmes krasitjes rregullohet edhe depërtimi i rrezeve të diellit, pra ndriçimi më i mirë, ajrosja më e mirë. Kështu që me depërtim të rrezeve të diellit dhe ajrosjes më të mirë ka ndikim edhe në pengimin e zhvillimit të sëmundjeve të pemës. E krejt këta faktorë pastaj kanë ndikim në prodhimtari sasiore dhe cilësore, ka thënë drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Bajram Isufi.
Në bazë të memorandumit për bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina“ dhe Komunës së Gjilanit, të nënshkruar nga ish-rektori Naser Sahiti dhe kryetari z. Alban Hyseni, ligjërues në këtë trajnim ishte prof. Vahid Avdiu nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.