Në Zvicër, më 16.09.2019, në moshën 66-vjeçare,ndërroi jetë ish gazetari i Radio Gjilanit, Hamdi Shabani.
Hamdiu u lind më 30.09.1953, në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku edhe kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në Gjilan, ndërsa ka studiuar Gjuhën Shqipe dhe Fakultetin Juridik, të cilat nuk i kreu për shkak të punësimit dhe kushteve të vështira ekonomike në familje. Në ndërkohë, kreu disa kurse tê aftësimit politik, rinor e sindikal!
Në gazetari “u dashurua” si i ri, duke bashkëpunuar me Radio Gjilanin, Radio Prishtinën dhe gazetat: “Rilindja”, “Zëri i Rinisë” (javore e rinisë), “GEP” e “Shkëndija”.
Në Radio Gjilani, si gazetar i rregullt, u punësua në vitin 1982, ku punoi deri në Vitin 1990, kur nga puna, tê gjithë shqiptarët i largoi organi okupues serb! Në vitet e suprimimit të të gjitha organeve kosovare, regjimi serb ia ngriti aktakuzën Hamdi Shabanit, për shkak të bindjeve politike ngaqë ishte Kryetar i Dhomës së Bashkësive Lokale në Kuvendin e Komunës së Gjilanit.
Duke kuptuar nga një e punësuar në Gjykatë, për përgatitjen që i është bërë për burgosje, flet-arresti, autori i këtij shkrimi (Nexhmedin Ymeri) së bashku me Islam Osmanin, me të shpejt njoftojnë Hamdiun, i cili largohet nga shtëpia tek të afërmit, në Shkup e pastaj vendoset në Zvicër!
Modest, punëtor i dalluar, i afërt e shumë njerëzor, Hamdi Shabani do të mbahet mend përgjithmonë nga kolegët dhe gjithë ata që e njohën.
Varrimi i trupit të Hamdi Shabanit bëhet në Pogragjë, ku edhe lindi!