Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, kanë gjetur sot në lumin Lepenc trupin e pajetë të policit Armend Trena.
Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së (Agjencisë së Kosovës për Emergjenca) sot në orën 15 e 40, në kilometrin e gjashtë (në hyrje të Hanit të Elezit) nga vend i aksidentit në lumin Lepenc, kanë gjetur trupin e pajetë të policit Armend Trena, njofton Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajit, Agim Gashi ka thënë për Telegrafin se është gjetur një trup i pajetë në lumin Lepenc.
Ai ka konfirmuar se trupi i gjetur është i gjinisë mashkullore, por nuk ka mundur të thotë se është i policit Armend Trena.
“Nuk mund ta konfirmoj nëse është trupi i Policit. Kur të verifikohet ne do të tregojmë”, ka shtuar Gashi.
Policët Armend Trena dhe kolegu i tij Malsor Dashi u aksidentuan më 28 prill në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, kur vetura e tyre zyrtare ra në lumin Lepenct.
Trupi i Malsor Dashit u gjet të enjten që shkoi, ndërsa u varros ditën e shtunë me ceremoni shtetërore.