Shkruan: Avni Rudaku
Handikos-i është themeluar në Kosovë në vitin 1983, e cila ka disa degë lokale, përfshirë edhe Gjilanin. Është shoqatë e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve, shkurtimisht e personave me aftësi të kufizuara. Asiston në të gjitha drejtimet për këtë kategori shoqërore, duke i ndihmuar në shërbime profesionale, shëndetësore, pajisje që ua lehtëson përditshmërinë dhe integrimin në shoqëri.
Handikos-i organizon edhe shumë aktivitete kulturore e sportive, dhe si qendër është vendtakim social. Ka edhe bibliotekë me alfabet të Brajllit.
Handikos-i është shoqatë jofitimprurëse dhe mbijeton falë donacionave ndërkombëtare nga Handikos Internacional, e mbështetës të tjerë ndërkombëtarë, por edhe nga financimi komunal.
Për çdo vit, ballafaqohet me sfida të panumërta. Për çdo fushatë elektorale, politikanët ia mësyjnë Handikos-it, përfshirë edhe Kryetarin aktual, Alban Hysenin, i cili edhe e ka nënshkruar një deklaratë zotimi për partneritet e përkrahje.
Handikos-i po organizon protestë me të drejtë, duke kërkuar hisen e vet. Komuna e Gjilanit, duhet urgjentisht t’ia plotësojë të gjitha kërkesat. Nëse ka OJQ, që duhet të jetë kryeprioritet, duhet të jetë Handikos-i. As OJQ-të për kulturë e art, ku angazhohem unë, nuk mund të jetë më relevante, krahasuar me Handikos-in.
Nuk ka shoqatë që ka më shumë nevojë dhe rëndësi për komunitetin, sa ka Handikos-i. Rreziku i mbylljes së saj nga mungesa e mjaftueshme e përkrahjes financiare, lë pasoja të pariparueshme për personat me aftësi të kufizuara. Të bllokosh edhe ato pak mjete financiare për Handikos-in, është e patolerueshme. Pavarësisht se Kuvendi Komunal është jofunksional për kohë të gjatë, kontrollit më të madh opozitar si rezultat i zgjedhjeve të fundit lokale ku Vetëvendosje ka fituar më shumë vota me Kryetar Komune sesa me anëtarë të Kuvendit, duhet pozitë e opozitë të punojnë bashkë për tema të mëdha e që tejkalojnë ndërskamcat ndërpartiake. Handikos-i i takon të gjithëve.
Është e turpshme të detyrosh personat me aftësi të kufizuara të dalin e të protestojnë. Është kategoria më e ndjeshme e shoqërisë.
Jam në përkrahje të plotë të Handikos-it.