Në Qendrën për Regjistrim Civil e cila është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka mungesë të materialit për dokumentet identifikuese si letërnjoftim si dhe patentë-shoferë.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për teve1.info edhe zëdhënësja e kësaj ministrie, Rroksana Qarri.
Megjithatë, Qarri ka thënë se me dokumente të nevojshme po pajisen rastet që kanë nevojë urgjente.
Sipas zëdhënëses Rroksana Qarri, kjo mungesë e materialit është shprehur si pasojë e krizës globale dhe pandemisë COVID19.
“Për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19, furnizimet me material janë vështirësuar. Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19”, ka deklaruar Qarri për teve1.info.
Sipas saj, MPB mbetet e përkushtuar t’i pajisë të gjithë qytetarët me dokumente e veçanërisht ata me nevoja urgjente.
“MPB është e përkushtuar që të pajisë të gjithë qytetarët me dokumente, e në veçanti rastet që kanë nevojë urgjente”, ka deklaruar Qarri.