Shqiptarët përpos trashëgimisë materiale e kulturore, gjithmonë kanë patur edhe trashëgiminë shpirtërore, doket, zakonet, traditat në rast gëzimi e hidhërimi, të cilat i kanë ruajtur ndër shekuj.
Këto tradita dikur ruheshin nëpër trevat shqiptare, nëpër shtëpi e oda, kurse tashti janë institucionet dhe shoqëritë e ndryshme kulturore që përkujdesen që ato të mos bijnë në harresë.
Shkolla, si institucion arsimor e edukativ, mund të bëjë shumë në këtë drejtim dhe pikërisht, nxënësit e Gjimnazit Natyror « Xhavit Ahmeti » në Gjilan kanë rikujtuar këto tradita, duke organizuar një program në përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Së fundi në bashkëpunim me Muzeun e Qytetit të Gjilanit, një program të tillë e kanë shfaqur edhe para qytetarëve, i cili është mirëpritur nga publiku.
Xhylishen Berisha, drejtoreshë e Muzeut të Gjilanit, pas ka dhënë një historik të shkurtër të themelimit të Muzeut të Qytetit të Gjilanit dhe ka vlerësuar lart meritat e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, si dhe Qendrëes për Trashigimi Kulturore në Gjilan dhe drejtorit të saj, Arton Hoxha, bashkë me stafin profesional, ka theksuar se është kënaqësi që në këtë muze do të performojnë nxënësit e Gjimnazit Natyror « Xhavit Ahmeti », që kanë një drejtori të përkushtuar dhe një mësimdhënëse si Shqipe Sijarina – Jakupi, e cila praktikon në ligjërtat e saja edhe trashëgiminë kulturore shqipe në shkollë.
Shqipe Sijarina – Jakupi, profesoreshë e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ka theksuar se kjo ide u ka lindur gjatë punës me nxënës në klasë, kur nxënësit gjatë orëve mësimore shprehën punën e tyre dhe kreativitetin, andaj ky aktivitet u zgjerua dhe bashkë me nxënës u bë një program për kultuën tradicionale, ku fillimisht nga disa dromca të kulturës sonë tradicionale që nxënësit kishin sjellë në shkollë, u arrit që të krijohet diç më e madhe, e cila u shkri në një program të kulturës sonë tradicionale, kombëtare e familjare. Ajo tha se kjo u ka shërbyer që të bëhen edhe miq të Muzeut të Gjilanit, me të cilin bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej.
Më pas është dhënë programi « Trashëgimia Kulturore në sy të nxënësve », ku fillimisht udhëheqësja , që njëkohësisht ishte edhe rrëfimtarja, Ajola Bislimi, publikun e pranishëm e fuste në traditat dhe zakonet e popullit shqiptar, të ruajtur ndër shekuj, kurse nxënësit – aktorë, me lojën e tyre, të veshur me veshje tradicionale, në dhomat – odat e dikurshme paraqitnin jetën, traditat, lojërat popullore, festat e motmotit, por edhe aktivitetin atdhetar dhe përpjekjet shekullore për liri.
Nga tradita shqiptare, u paraqitën lojërat e dikurshme shqiptare « Loja e filxhanëve » dhe « Loja e kapuçave », në të cilët aktorët në odën e burrave paraqitën se si luheshin këto lojëra dhe se si u këndohej humbësve dhe si përqesheshin ata me anë të këngëve të ndryshme.
Dasma, gjithmonë ka zënë vend në traditën shqiptare, para saj nusja gjatë tërë vitit përgatiste pajën, familjet që përcillnin dhe merrnin nusen përgatiteshin për dasmë, nusja bënte ritualet tradicionale e dasmat nuk ndaleshin, bile as në raste lufte e vdekjeje, ngase në traditën shqiptare dasma ishte dasmë e vdekja ishte vdekje.
Vajzat e reja i këndonin nuses, skaj së cilës qëndronte vjehrra e me ardhjen në shtëpinë e saj të ardhme nusja bënte temenanë, që kishte qëllimin që ajo shtëpi të jetë e lumtur, me plotë fëmijë dhe me begati.
Krejt kjo traditë e pasur shqiptare u paraqit nga nxënësit, u paraqit edhe si nëna rriste fëmijën në djep, i këndonte atij ninulla dhe i këndonte për të ardhmen. E uronte të jetë trim si Skënderbeu e i urtë e i mençur si Naimi.
Shqiptarët, ndonëse bënin një jetë të vështirë, sofra e tyre gjithmonë ishte e begatë me ushqime tradicionale. Edhe atëherë kur skamja mbulonte shqiptarët, ata me bujarinë e tyre ofronin bukë, krip e zemër e vend të veçantë zinte mysafiri, të cilit i bëheshin nderimet më të mëdha.
Në përgjithësi, të gjithë shqiptarët bënin jetë të thjeshtë, por që të gjithë, kishin një qëllim, lirinë e atdheut, luftën për flamur e për liri, gjë të cilën me paraqitjen skenike e paraqitën nxënësit e Gjimnazit “Xhavit Ahmeti”, kryesisht të klasave të dhjeta, cilët tërë këtë program e kishin realizuar falë mësimdhënëses së tyre të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Shqipe Sijarina -Jakupi.
Në fund për pjesëmarrësit është shtruar sofra shqiptare, me përgatitje tradicionale shqiptare.