Në përvjetorin e 37 të demonstratave të pranverës ’81
Në 11 marsin e vitit 1981 studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës organizuan një demonstratë masive, si përgjigje kundër dhunës që u përdor për të shtypur protestat spontane të studentëve, ku ata kërkonin trajtim dinjitoz dhe ushqim, në mensën e studentëve, në datën 4 mars 1981.
Demonstratave të studentëve kundër regjimit policor populli iu përgjigj me mbështetje të madhe. Pak ditë më pas u organizuan edhe demonstratat e punëtorëve, ndërsa qytetarë të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, nga çdo shtresë shoqërore, nga çdo profesion e çdo prejardhje krahinore, iu bashkangjitën protestave. Kërkesave për dinjitet në kushtet e trajtimit të studentëve dhe për ndaljen e dhunës policore, iu shtuan edhe kërkesa për të drejta politike të shqiptarëve, si edhe ato për përparim shoqëror e mirëqeniene ekonomike.
Pushteti u përgjigj me edhe më shumë brutalitet policor, duke arrestuar e duke dënuar me shumë vite burg organizatorët e pjesëmarrësit në këto demonstrata, madje dy muaj pas fillimit, u shpall edhe gjendja e jashtëzakonshme. Demonstrata të fuqishme pati edhe me 26 mars dhe 1 e 2 prill 1981. Në secilën demonstratë kishte studentë të vrarë por ata nuk ndaleshin.
Ajo që nisën studentët, ishte më e madhe se çdo gjë që mund të kishin paramenduar pushtetarët e kohës në Beograd e Prishtinë. Madje ishte më e madhe edhe se ç’mund të shpresonin studentët organizatorë.
Demonstratat e 1981 e kthyen Kosovën me fytyrë nga vetëvendosja popullore e nga Shqipëria, i dhanë vrull dhe energji lëvizjeve të pandërprera dhe organizimeve ilegale e legale që punonin për Republikën e Kosovës, për liri e barazi kombëtare, për drejtësi e progres shoqëror. Kështu ato u bënë hapi i parë në rrugën e gjatë e të dhimbshme, por plot krenari, që solli rrëzimin e ish-Jugosllavisë dhe çlirimin e Kosovës, në vitin 1999.
Studentët e më pas punëtorët ishin në ballë të demonstratave, në ballë të ndryshimeve, atëherë kur koniuktura politike ishte tëhuajësuar prej popullit të vet. Edhe sot, duke nderuar e respektuar historinë e kombit tonë dhe demonstratat e 1981, ne mbetemi të organizuar për vetëdijësimin e studentëve, punëtorëve dhe shtresave popullore, që ta vazhdojmë lëvizjen tonë për mirëqenie, për kushte dinjitoze dhe për realizim të aspiratave kombëtare.