Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore me datën 15 dhe 16 mars ka zhvilluar aksione në 57 qendra të masazhit, shkruan Insajderi.
Gjatë kontrollit në këto qendra, policia ka arrestuar gjashtë të dyshuar, ndërsa inspektoriati ka mbyllur 14 lokale
“Hetuesit policorë nga DHTQNj këtë plan e kanë realizuar në bashkëpunim me inspektorë të MTI-së dhe me ATK-në. Gjatë realizimit të operacionit janë kontrolluar/inspektuar 57 (pesëdhjetë e shtatë) qendra masazhi. Janë iniciuar dy raste për përfshirje të të dyshuarve në veprat penale ‘mundësim apo detyrim në prostitucion’ dhe ‘ofrim i lokaleve për prostitucion.
Janë arrestuar gjashtë të dyshuar, prej tyre dy janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë me aktvendim të prokurorit. Nga inspektorët kompetentë janë mbyllur 14 lokale dhe janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e evidentuara”, thuhet në njoftim.
Gjatë realizimit të operacionit janë gjetur 107 persona të përfshirë në këtë punë, prej tyre dy vajza të mitura.
“Gjatë realizimit të operacionit policor janë legjitimuar 107 (njëqind e shtatë) persona (96 femra, dy të mitura dhe 11 meshkuj). Nga personat e legjitimuar, me shtetësi të huaj janë hasur 19 (nëntëmbëdhjetë) nga Shqipëria, 4 (katër) nga Tajlanda dhe 1 (një) nga Rumania. Shtetaset e huaja në mungese të paraqitjes së lejes së qëndrimit janë trajtuar nga Drejtoria për Migrim dhe Huaj e PK-së”, thuhet në njoftim.