Gjilan, 22 maj 2017 – “Qytetarët e Gjilanit janë respektues të ligjit, të përgjegjshëm gjatë zhvillimit dhe njëkohësisht bashkëpunues të vendosur të Drejtorisë së Urbanizmit, për të ruajtur planifikimin urban dhe gjithashtu janë aktiv në përmbushjen e obligimeve për ndërtime konform rregullave legale”, ka thënë në konferencën me gazetarët, drejtori Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Valon Shefkiu.
Ai më tej ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët para çdo ndërtimi apo zhvillimi të ndërtimit privat, marrin konsultat e detajuara në zyrat e urbanizmit.
“Falë kësaj ne po ruajmë hapësirën dhe planet e hartuara nga institucioni lokal. Njëkohësisht, po bëhet e mundur edhe rritja e të hyrave vetanake. Kjo rritje përkthehet në investime dhe drejtpërdrejt në të mirën e përgjithshme të qytetarëve”, ka thënë Shefkiu, duke apeluar që të gjithë qytetarët që planifikojnë ndërtim, t’i drejtohen urbanizmit, sepse ndërtimi i tyre është i qëndrueshëm dhe i shfrytëzuar për destinimin e caktuar, vetëm nëse është në harmoni ligjore.
Drejtori Shefkiu ka thënë se gjatë periudhës së parë të vitit, në këtë Drejtori janë hartuar detyrat projektuese, janë mbajtur dëgjime publike të shumta, por poashtu edhe janë bërë analiza të gjendjes faktike në disa lagje dhe zona për hapje të rrugëve, planifikim të përbashkët, plotësim dhe harmonizim të kërkesave në raport të interesit të përgjithshëm.
“Në aspektin e të hyrave janë shënuar rritje apo realizim i planifikimit vjetor për rreth 30 për qind. Të hyrat nga lejet e ndërtimit për periudhën tre mujore janë mbi 225 mijë euro, nga legalizimi i objekteve pa leje rreth 6 mijë euro, taksat dhe ngarkesat afër një mijë e 300 euro. Kështu nëse llogariten të hyrat deri në datën e sotme ato janë rreth 400 mijë euro”, ka thënë më tej drejtori Shefkiu.
Shefkiu ka paralajmëruar aspektin tjetër të avancimit teknologjik në këtë Drejtori, duke u bërë Gjilani nga muaji qershor si e para Komunë në nivel vendi që këtë resor të rëndësishëm ta përfshij në programin e zhvillimit dhe implementimit përmes Web Gis.
“Kjo është një platformë online e cila u mundëson përdoruesve profesionist, por edhe qytetarëve që të shikojnë dhe të kenë qasje në mënyrë të shpejtë në të dhënat gjeohapësinore lidhur me urbanizmin, kadastrin, sipërfaqen publike, bujqësinë etj”, u shpreh Shefkiu.
Ai në fund ka bërë të ditur se kërkesa e secilit qytetar trajtohet në afatin më të shkurtër të mudshëm dhe gjithnjë në bazë ligjore.
“Secila kërkesë që ka mundësi të kryhet më shpejtë nuk vlen afati zyrtarë, ajo kthehet në kohë rekorde nga resori ynë. Kurse një kujdes i veçantë është duke ju kushtuar ruajtjes së planeve rregulluese komunale, hëpësirës publike, por edhe monitorimit të vazhdueshëm e konciz i lejeve të lëshuara për ndërtim”, ka përfunduar Shefkiu.