Në Shërbimin e Elektrofiziologjisë të Klinikës së Kardiologjisë për dy ditë me radhë do të kryhen raste të studimit elektrofiziologjik të zemrës, në përkrahje dhe mbikëqyrje të ekspertëve të jashtëm.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, ka vizituar këtë shërbim dhe ka ofruar përkrahjen e menaxhmentit të ShSKUK-së, për zhvillim të mëtejmë të këtij shërbimi me rëndësi jetike për pacientët, duke premtuar angazhim maksimal për institucionalizim dhe bashkëpunim me ekspertë nga jashtë.
Gjatë ditës së sotme dhe nesër, ekspertët e fushës së elektrofiziologjisë Dr. Edmond Haliti dhe Dr. Xhevdet Krasniqi në mbikëqyrje dhe përkrahje nga eksperti i jashtëm Dr. Valon Spahiu (kardiolog dhe ekspert i elektrofiziologjisë së zemrës nga SLK- Klinikum Platenwald ne Heilbronn të Gjermanisë), do të realizojnë studimin elektrofiziologjik dhe ablacionin me radio-frekuencë te disa pacientë me takikardi supraventrikulare, para ngacmueshmëri ventrukulare dhe flater atrial (rrahjet e shpejta të zemrës me potencial përkeqësimi).
Këto sëmundje kardiologjike janë mjaftë të shpeshta në popullatën tonë dhe prekin zakonisht moshat e reja dhe mesatare.
Përparësia e trajtimit të tyre me këtë procedurë moderne, teknologjinë bashkëkohore dhe ekspertizën profesionale qëndron në faktin se shumica e këtyre pacientëve arrijnë të shërohen plotësisht.