Zëvendësministër i Arsimit, Dukagjin Pipovci tregoi se si do të zhvillohet mësimi një ditë pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën.
Në një konferencë për media ai tha se në shkollat që janë qendra votimi, mësimi do të mbahet online.
“Të dielën do të mbahen zgjedhjet lokale dhe një numër i konsiderueshëm i shkollave janë qendra të votimit, kështu që me datën 18 tetor duke marrë parasysh kushtet e pandemisë është vendosur që në këto shkolla që janë qendra votimi të punohet me skenarin C, pra me anë të mësimit në distancë”, tha Pupovci.
Pupovci shtoi se në shkollat e tjera mësimi do të vazhdojë rrjedhën normale.
“Shkollat e tjera të cilat nuk janë qendra të votimit vazhdojnë punën e tyre normalisht sipas planifikimeve paraprake, ndërkaq me datën 19 tetor besojmë se mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat pa ndonjë dallim”, u shpreh ai.
Tutje, Pupovci tha se ekziston një obligim i drejtorive komunale të arsimit që t’i dezinfektojnë këto hapësira dhe t’i ajrosin mirë në mënyrë që ato të jenë të sigurta për nxënësit dhe mësimëdhënësit.