Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, gjendja po ndryshon për të mirë.
Sipas drejtorit, Arsim Emini në fundin e javës së kaluar, Artan Bejta, bashkë me grupin e tij të vullnetarëve pasi që kishin mbjellë në oborrin e spitalit dhjetëra drurë dekorativë dhe kishin rregulluar disa nga shtugjet, tani vijëzuan parkingjet.
Krejt këtë punë e bënë me vetiniciativë.
“Artani me shokë është shembull i njeriut patriot, ekologjist dhe altruist”, thotë drejtori Emini.
Dhe momenti i dytë i rëndësishëm për personelin, pacientët dhe të gjithë qytetarët e Anamoravës dhe të Luginës së Preshevës, është fillimi i studimit të master planit për spitalin, bashkë me ekspertët e angazhuar nga LuxDev z. Haris dhe z. Alain, njëri arkitekt ndërsa tjetri bioinxhinier.
Ata bashkë me drejtoreshën e projektit KSV 017, znj. Afërdita Ademi-Osmani, për dy javë do të mbledhin informatat e nevojshme në spital, ku do të investohen 5 milionë euro, donacion nga Qeveria e Luksemburgut për renovim dhe për riorganizim të shërbimeve.
“Ne jemi të vendosur me të gjitha kapacitetet tona të mbështesim dhe të lehtësojmë punën jo vetëm të këtyre donatorëve por të të gjithë atyre që duan të mbështesin spitalin tonë”, ka thënë Emini.
Për më tepër ai thotë se qëllim kryesor kanë përmirësimin e shërbimeve për pacientë dhe të lënë një ambient sa më të mirë për gjeneratat e reja të profesionistëve shëndetësorë.
“Rruga është e vështirë por me punë, me bashkëpunim dhe me mirëbesim me të gjithë, do t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë drejtori Emini.
Ai falënderon të gjithë donatorët e veçmas Qeverinë dhe popullin e Luksemburgut.