Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u përurua libri më i ri studimor i autorit Prof. Ass. Dr. Selim Daku, me titullin “Ndikimi Kulturor në Zhvillimin Diplomatik të Çështjes Kombëtare Shqiptare (1908-1912)”, një punim i thelluar që ndriçon kontributin e faktorit kulturor në përpjekjet diplomatike të shqiptarëve në prag të pavarësisë. Libri trajton një nga periudhat më kritike të historisë shqiptare, që nga Revolucioni Xhonturk në 1908 deri në shpalljen e pavarësisë më 1912, duke përshkruar dhe analizuar rolin që luajtën faktorët kulturorë në zhvillimin e diplomacisë shqiptare.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi rëndësinë e madhe që kanë botimet akademike në forcimin e identitetit kulturor dhe historik të një kombi. Ai vlerësoi përpjekjet e autorit Prof. Ass. Dr. Selim Daku, duke nënvizuar se ky libër sjell një kontribut të vlefshëm në fushën e studimeve diplomatike dhe historike të Shqipërisë. Sipas Rektorit Dermaku, ky botim do të jetë një burim i rëndësishëm jo vetëm për studentët e shkencave historike dhe diplomatike, por edhe për të gjithë ata që dëshirojnë të kuptojnë rrënjët e përpjekjeve kombëtare për pavarësi.Ai shprehu krenarinë e tij për institucionin që përfaqëson dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për të mbështetur studime të tilla që sjellin vlera të mëdha për akademinë dhe shoqërinë shqiptare në tërësi.
Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, një nga recenzentët e librit, e vlerësoi punën e Dakut si një studim të thelbësor për të gjithë studentët dhe studiuesit e historisë, politikës, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai theksoi se monografia përmban analiza të hollësishme që përforcojnë njohuritë për ngjarjet kyçe historike dhe diplomacinë që çoi në krijimin e shtetit shqiptar të pavarur.
Prof. Asoc. Dr. Fitim Rifati recenzen i librit, vlerësoi kontributin e prof. ass. dr. Selim Dakut si një udhërrëfyes të vyer për studiuesit e rinj që dëshirojnë të ndjekin të njëjtën rrugë në kërkimin e çështjeve kulturore dhe diplomatike. Sipas Rifatit, autori ka arritur të tregojë qartë sesi çështja shqiptare u shndërrua në një temë të rëndësishme në tryezat diplomatike të Fuqive të Mëdha të asaj kohe, duke u afirmuar edhe nga një këndvështrim kulturor.
Kryeredaktori i librit Avni Rudaku ka folur rreth punese, sfidave dhe ne përgjithësi për procesin e redaktuarës se librit. Ai ka thanë se ka bërë një punë të përkushtuar në redaktimin e këtij libri, duke u siguruar që përmbajtja të jetë e saktë dhe e qartë. Ai ka ndihmuar në strukturimin e librit dhe në përmirësimin e stilit të shkrimit për ta bërë tekstin sa më të kuptueshëm dhe tërheqës për lexuesit.
Prof. Ass. Dr. Flamur Maloku studiues, theksoi rëndësinë e këtij punimi për identifikimin e ndikimit kulturor në diplomacinë shqiptare. Sipas Malokut, libri i autorit Selim Daku hap horizonte të reja në studimet historike dhe diplomatike, duke bërë një thirrje të qartë për studiuesit që të eksplorojnë më tej figurat e shquara dhe faktorët që ndihmuan në formësimin e çështjes kombëtare.
Në fjalën e tij gjatë përurimit të librit, Prof. Ass. Dr. Selim Daku shprehu falënderime për të gjithë të pranishmit dhe bashkëpunëtorët që e kanë mbështetur në këtë rrugë të gjatë kërkimore. Ai ndau me publikun motivet që e çuan drejt këtij studimi të veçantë, duke theksuar rëndësinë e kulturës shqiptare në zhvillimin e diplomacisë dhe afirmimin e çështjes kombëtare në arenën ndërkombëtare. Gjatë fjalimit, Daku theksoi synimin e tij për t’i frymëzuar të rinjtë dhe studiuesit e ardhshëm të eksplorojnë më tej këto tema, duke i ftuar të zbulojnë aspekte të reja që lidhen me rolin e kulturës në formësimin e historisë dhe diplomacisë shqiptare.
Me një përkushtim të dukshëm dhe pasion për historinë, Prof. Daku nënvizoi se ky libër është vetëm një pjesë e përpjekjeve të tij për të ndriçuar këtë kapitull të rëndësishëm, duke dhënë një kontribut të vlefshëm për të gjithë ata që duan të kuptojnë më thellë ndikimin e kulturës në çështjen kombëtare shqiptare.