I PRANISHËM NË KOMUNË DHE PËR KOMUNË (1)
Administratë e Përgjithshme e Komunës së Gjilanit
Administrata e Përgjithshme duhet të vazhdojë efikasitetin dhe shpejtësinë e nxjerrjes së dokumenteve për qytetarët, aty ku është për momentin. Siç dihet, krahasuar me vitet e menjëhershme të pasluftës, askush nuk e mohon se tashmë është bërë përparim i jashtëzakonshëm në përmirësimin e funksionimit të administratës.
Administrata e Përgjithshme në Gjilan është zyrtarisht edhe institucion i kryerjes së shërbimeve në Sektorin e Gjendjes Civile, Qendrës për Shërbim me Qytetarë dhe Shërbimit të Autoparkut. Sektori i parë duhet të mirëmbahet rregullisht. Është e papërgjegjshme të vendoset një E-kioskë dhe herë të jetë funksionale, herë të mos jetë. Tjetër gjë është të bësh e të ndërtosh diçka, tjetër gjë ta mirëmbash atë gjë herë pas herë, e krejt tjetër gjë ta mirëmbash rregullisht. Qendra për Shërbim me Qytetarë duhet të jetë më pranë qytetarit, e jo të ngujohet atje në një kënd të korridorit të ngushtë e sporteleve..
Qendra për Shërbim me Qytetarë duhet të promovojë komunikimin me qytetarë, duke shkuar herë pas herë në lagje të qytetit, për të pranuar ndonjë kërkesë a vërejtje edhe në mënyrë proaktive.
Është e domosdoshme të diskutohet për vendosjen e kontaktit elektronik të zyrtarëve me qytetarët, ku porositë për shërbime bëhen online. Sot komunikimi është aq I thjeshtë dhe I lehtë saqë duhet vetëm vullnet për ti bërë këto gjëra.
Politikanët synojnë të mos ketë ankesa fare, por ky është vizion i tejkaluar. Udhëheqësia e komunës në shekullin XXI duhet të jetë udhëheqësi e pranimit të sa më shumë ankesave dhe komunikimit me qytetarë, madje të shtyjë qytetarët që sa më shumë të paraqesin nevojat e tyre. Pastaj, të ketë trajnime të stafit administrativ-civil rreth komunikimit me qytetarë. Ndër drejtoritë që mund të ketë qytetarë të revoltuar, është edhe kjo drejtori, por stafi duhet të jetë shumë i durueshëm, me etikë të lartë dhe me komunikim jo personal, por zyrtar.