Po vazhdojnë aktivitetet e edicionit të 16 të manifestimit tradicional kulturor, i njohur tashmë si “Vjeshta letrare e Gjilanit”, ku u përurua monografia “Veteranët e Shëndetësisë së Anamoravës”, me autor, doktor Xhavit Hajdarin.
Linditë Ramushi Dushku, tha se po vazhdojnë aktivitet e manifestimit që prej shumë vitesh mbledh rreth vetes krijues, studiues e dashamirë të artit dhe kulturës sonë kombëtare.
Sipas saj “Vjeshta letrare” me këtë promovim i hap dyert e saj edhe një fushe tjetër me shumë rëndësi – asaj të kujtesës dhe të vlerësimit të kontributit njerëzor.
Në emër të organizatorit, foli Sabit Rrustemi, drejtues i Ars Clubit “Beqir Musliu”.
Vlerësime për monografinë dha edhe redaktori Xhevdet Kallaba.
Doktor Ilaz Poroshtica, ndau përshtypjet dhe vlerësimin e tij për veprën e autorit, sikur edhe doktoresha Elmaze Hyseni Kurteshi.
Derisa foli edhe autori i monografisë, doktor Xhavit Hajdari.
Folësit, thanë, se kjo vepër hedh dritë mbi punën, përkushtimin dhe sakrificën e atyre që në periudha të ndryshme, i kanë shërbyer me ndershmëri dhe profesionalizëm shëndetit publik në këtë trevë.
Sipas tyre ky botim është më shumë se një libër: është një dëshmi e gjallë e përpjekjeve humane dhe profesionale të brezave të tërë mjekësh, infermierësh e punonjësish shëndetësorë, që kanë qenë në vijën e parë të kujdesit ndaj njeriut.
Kjo monografi përfaqëson një punë të kujdesshme shkencore e dokumentuese, që ndriçon historinë e shërbimit shëndetësor në Anamoravë dhe kontribuuesit e tij ndër vite.
Folësit u shprehën se kjo monografi plotëson kuadrin e këtij botimi me rëndësi të veçantë dokumentare e njerëzore. Ai me përkushtim, kujdes e dashuri për profesionin, ka përmbledhur në këtë vepër historinë dhe figurat e ndritura të shëndetësisë së Anamoravës.
Kjo monografi është një vlerë e çmuar dokumentuese dhe një nderim i merituar për brezat që i shërbyen me përkushtim shëndetësisë në Anamoravë.
Ceremonia e përurimit u shoqërua me tingujt e kitarës nga Endrit Rexhepi.









