Në sallën e lutjeve të Xhamisë në Livoçin e Poshtëm, në prezencë të shumë xhematëlinjëve, hoxhallarëve dhe të Naim ef, Aliut, kryetarit të KBI-së së Gjilanit, u bë pajtimi në mes të familjeve Berisha dhe Leci, për ngjarjen e aksidentit fatal në trafik, të para një muaji, ku humbi jetën vajza e vetme Erza (11 vjeçare) e familjes Berisha nga fshati Svircë e komunës së Dardanës me banim në Gjilan.
Imamët vazhdojnë traditën e kolegëve të tyre në angazhimin e pajtimit të familjeve të hasmuara dhe për Allahun e kombin pajtojnë rastet e tilla në Xhematin e tyre. Kështu Hoxhallarët: Zijadin ef. Leka-imam në xhaminë e Livoçit të Poshtëm, Rashit Zylfiu-imam në xhaminë e Kodrës së Dëshmorëve si dhe Xhemaludin Kadriu-imam në xhaminë “ Xhedide” të Mahallës së Balecit, me një punë e angazhim një mujor dhe me ndihmën e familjes Berisha, e cila pa hezitim fali familjen Leci, për humbjen e jetës së vajzës së vetme të tyre Erzës njëmbëdhjetë vjeçare, e cila humbi jetën në aksidentin fatal të trafikut që ndodhi më 22 shkurt dhe e cila pas tri dite ndërroi jetë në QKUK, aksident që u shkaktua nga drejtuesi i automjetit Limon Leci, në vendin e quajtur – tek Tuneli në rrugën në të dalë nga Gjilani që shpie në drejtim të Prishtinës.
Në fjalën e rastit Naim ef. Aliu kryetar i KBI-së së Gjilanit, theksoi se ky është një moment kur njeriu vështirë mund të gjejë fjalë për të falënderuar të gjithë këta që kontribuuan në afrimin e pajtimin e këtyre dy familjeve, e posaçërisht për zemërmadhësinë e familjes së Hysen Berishës që shtriu dorën e pajtimit familjes Leci për humbjen e vajzës së tyre në aksidentin fatal që u shkaktua nga Limon Leci.
Kjo ditë është ditë gëzimi nga se afrohen dy familje dhe për këta njerëz e posaçërisht për njerëzit që falin e në këtë rast familjen Berisha ka shpërblim të madh nga Allahu i Madhërishëm. Jo gjithë nuk mund të falin, por falin ata që kanë zemër të madhe dhe janë trima. Unë jam krenar theksoi Naim ef. Aliu, për punën dhe kontributin e hoxhallarëve, dhe që ata po e vazhdojnë në njëfarë mënyre traditën e hoxhallarëve të vjetër në dhënien e kontributit në pajtimin e ngatërresave dhe gjaqeve. Falënderoi të gjithë kontribuuesit e posaçërisht sot familjen Berisha që i shtriu dorën e pajtimit familjes Leci.
Bartësit e këtij aksioni vullnetar për pajtim, të kurorëzuar me sukses imamët: Mulla Zijadini, Mulla Rashiti dhe Mulla Xhemaludini, sot ishin të gëzuar dhe krenar që ia arritën të afrojnë këto dy familje dhe ia shtrinë dorën e pajtimit njëra tjetrës. Ata kësaj çështjeje ia filluan që nga dita a parë, menjëherë pas varrimit të të ndjerës . Për ngjarjet e tilla të hasmërive duhet doemos që të veprohet menjëherë në afrimin e familjeve në mënyrë që të njëjtat të pajtohen nga se kjo është një punë që na përket të gjithë e sidomos atyre që dijnë dhe kanë mundësi me veprue në këtë drejtim theksuan Hoxhallarët – bartësit e këtij aksioni.