Sipas legjendave, dikur kjo zonë ishte aq dendur e banuar sa që macja ka mundur t`i bëjë tri kilometra rrugë, duke kaluar nga çatia në çati, pa zbritur fare në tokë.
Fshatrat e Malësisë së Zhegocit shtrihen në një territor ku dikur ka ekzistuar një qytetërim i lashtë. Këtë e dëshmojnë themelet e gjetura, mbetjet e xeheve, galeritë e thella, toponimet e ndryshme, krojet dhe burimet tjera ujore, të cilat janë përdorë për shuarjen e etjes dhe për shëndet e jetë të mirë. Gjurmë të një qytetërimi të lashtë në këtë zonë, po vërehen edhe gjatë punimit të trasesë për autostradë Prishtinë-Gjilan, një pjesë e së cilës kalon këndej pari. Sipas legjendave, dikur kjo zonë ishte aq dendur e banuar sa që macja ka mundur t`i bëjë tri kilometra rrugë, duke kaluar nga çatia në çati, pa zbritur fare në tokë. Para luftës, kur është ndërtuar shkolla e re në fshatin Zhegoc, këtu janë gjetur themele të një qytetërimi të lashtë, që besohet të jenë të periudhës romake.
Në Kishnapolë, jeta zë fill para 600 vitesh, thotë mësuesi Ramadan Mehmeti. Kjo trevë është e njohur për pasuri nëntokësore dhe besohet se bizantinët i shfrytëzonin xeheroret e këtushme, të cilat shtrihen në një trekëndësh mes komunave Gjilan, Viti, Ferizaj e Lypjan. Sipas Mehmetit, popullsia e asaj kohe i përkiste besimit të krishterë dhe ortodoks, çka e dëshmojnë gjurmët e kishave. Nga emërtimi “Kisha e Shën Palit” e ka prejardhjen toponimi Kishnapolë, që në shqiptim ka pësuar ndryshime, por assesi nuk është emërtim sllav, sepse sllavishtja ka fjalë tjetër për kishën. Përveç kishave, ekzistojnë edhe varreza që e dëshmojnë besimin e popullatës së këtushme në atë kohë. Kjo zonë ka qenë në shënjestër të të gjitha pushteteve, por nuk kanë arritur ta gjunjëzojë asnjëherë popullin e kësaj ane. Njëra ndër shkritoret më të njohura në atë kohë, ishte ajo ndërmjet Gadishit e Zhegocit, ku edhe sot gjenden mbeturinat e xehes dhe “bunarët” që shërbenin për ajrosje të korridoreve nëntokësore, nga nxirrej xehja.
Në Zhegoc, te “Kroi i Sofisë” janë gjetur gjurmë të një qyteti të lashtë antik. Besohet se te ky burim kanë pirë ujë qytetërime të hershme. Sipas historianëve, ky vend, dikur ka qenë i banuar dendur. Dëshmi për këtë janë mbeturinat e përpunimit të xehes, shpatet me vreshta, ndonjë toponim që është ruajtur ende. Para luftës, Zhegoci kishte 45 familje. Pas luftës, fshati është zbrazur gati në tërësi. Banorë të Zhegocit sot i gjen në Stamboll, Shkup, Sarajevë, Prishtinë, Janjevë, Lypjan, Ferizaj dhe qytete të tjera. Edhe Vërbica, një fshat tjetër, është braktisur masivisht pas luftës. Është ndër fshatrat e rralla në Kosovë, që ende nuk ka asnjë metër asfalt.
Ndërkaq, natyra ka qenë më dorëlirë me këtë zonë. Thellë në malet e Zhegocit gjendet një burim interesant uji, ku njerëzit shkojnë për të ndryshuar fatin e keq, por pak kush e di se ai ujë mund të shërojë edhe sëmundje të ndryshme. Muhamet Zeqiri thotë se kur dalim në malet e Zhegocit, gjithmonë ndalen te kroi për të pushuar. Thonë se është ujë shërues, por askush nuk i ka bërë analiza përbërjes kimike të ujit dhe nuk dihet saktësisht se për çka mund të jetë i dobishëm. “Një krua që gurgullon mes maleve të larta, që as nuk rrjedh e as nuk shteron kurrë, nuk ekziston kot së koti”, thotë Zeqiri. Për kroin ka shumë besëtytni. Shkurret përreth janë të mbushur me penj të kuq, të bardhë, të kaltër.
Njerëzit e kësaj ane nuk e kanë preferuar për pije këtë ujë, që del nga nëntoka dhe as nuk rrjedh e as nuk shteron kurrë. Uji del nga thellësia duke gurgulluar dhe kthehet përsëri mbrapsht, pa e rritur dhe as pa e ulur nivelin e kroit. Banorët thonë se ujët e këtij kroi është përdorur nga qytetarë të shumtë për kurimin e syve, reumës, hemorroideve dhe sëmundjeve të tjera. Ajo që të bënë përshtypje është edhe besimi i banorëve të kësaj ane në magjinë shëruese që ndodhet në këtë krua, përkatësisht në këtë burim uji. Një margaritar kaq i rrallë si bumbulloci në Zhegoc, që nuk ka një të dytë diku tjetër, nuk duhet të mbetet i fshehur mes maleve, por duhet të nxirret në pah dhe të kthehet në një pikë atraktive për vizitorë.
Legjendat po ashtu thonë se një plak e kishte hedhur shkopin e tij në bumbulloc dhe pas disa ditësh e kishte gjetur te një burim uji në Gjilan, që kanë një distancë mes vete rreth 10 kilometra. Për ujët e bekuar, ka edhe legjenda tjera në këtë zonë, që banorët vazhdojnë t`i rrëfejnë edhe në ditët e sotme, ashtu siç i kanë trashëguar brez pas brezi. Por, pavarësisht legjendave për këtë ujë, bumbulloci është një vend real, ku njerëzit e kësaj ane shkojnë edhe sot për nevoja të ndryshme. Ata kanë lënë gjurmët e veta te ky vend. Disa besojnë se u ka ndihmuar për të çliruar shpirtin nga ndonjë brengë, disa të tjerë thonë se ua ka hequr dhembjet fizike. Bumbulloci mund të jetë një krua ilaçi në malet e Zhegocit, përreth së cilave dikur kishte përlot shtëpi banimi. Pos legjendave, ekzistojnë edhe gjurmë që dëshmojnë se këtu kishte një qytetërim të hershëm./ ILMI MUSLIU /