Banorët e Lagjës së KFOR-it në Zhegër tash e sa vjet kanë telashe jashtëzakonisht të mëdha nga ujrat që sjellin të reshurat atmosferike, e të cilat nuk mund të përbihen përmes kanalizimit dedikuar po për bartjen e këtyre ujrave.
Me fjalë tjera ky kanal është mbyllur dhe gjithë ujrat atmosferike vërshejnë: kopshtet, arat, madje dhe oborret e shtëpitë e tyre. Për rastin është njoftuar edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Naser Korça edhe në mandatin e kaluar kur ushtronte po të njëjtin funksion.
Ky drejtor ka qenë në dijeni për këtë problem edhe në mandatin e kaluar, por që nuk bëri asgjë dhe me të njëjtin avaz po vazhdon edhe në këtë mandat, anipse tash ka në dijeni edhe peticionin e nënshkruar nga banorët e këtushëm.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, drejtori Naser Korça në një seancë të Kuvendit Komunal, kur u ngrit i njëjti problem pati thënë se as që e di se ku gjendet kjo lagje, gjë kjo e cila kishte indinjuar dhe irituar jashtëzakonisht banorët e lagjës së KFOR-it. Dhe aq më shumë kur i njëjti problem është ringritur për diskutim për disa here në seancat tjera të Kuvendit Komunal dhe asgjë e pritur nga kjo.
Nga ana tjetër është për të kritikuar heshtjen e këshilltarit nga partia e tij, por që është këtu edhe me votat e ndonjë banori të atyshëm. I njëjti edhe atëherë, kur ishte vetëm kryetar i Këshillit të fshatit Zhegër, e edhe tash kur ka të njëjtin funksion krahas atij të këshilltarit vazhdon të heshtë. Kjo është për turp e mëkat si për kryetarin e Këshillit të Fshatit Zhegër, Shemsedin Elezit, po ashtu edhe këtij drejtori.
Banorët e atyshëm të revoltuar nga indiferenca e tyre thonë se edhe njëri edhe tjetri skanë kurfarë ndiesie për rastin, anipse kanë përgjegjësi dhe detyrim për të zgjidhur problemet elementare të qytetarëve. Sigurisht se po të kishin të njejtin problem në lagjet e tyre edhe njëri edhe tjetri sdo të ishin kaq indiferentë. Do të kishin bërë gjithëçka të mundshme për zgjidhjen e problemit si ky për të cilin po diskutohet.
Nga ana tjetër, në këso rastesh duhet të reagojnë edhe këshilltarët e lokaliteteve tjera, e të mos flasim për ata nga Zhegra. Në fund ua bëjë me dije se banorët e asaj lagje tashmë kanë humbur durimin dhe një ditë sigurisht se mund të vijnë për të protestuar. Andaj do të ishte mire që të mos zvarritet më tepër ky problem i cili mund të zgjidhet ndoshta brenda një dite.
Vërtetë është për marre e gjynah që ky problem i cili mund të zgjidhet për një ditë, apo dy-tri ditë më së shumti të mbetet i pazgjidhur për vite të tëra. Megjithatë, dua të besoj se problemi do të zgjidhet sa më parë që është e mundur, ashtu që banorët e atyshëm të mos i presin të reshurat atmosferike me shqetësime, kur Komuna ka mundësitë për zgjidhjen e këtij problemi.
( Fjala e këshilltarit të pavarur të Kuvendit Komunal në Gjilan, Xhelal Hajrullahut, në seancën e sotme )