Kandidati i pavarur për president, Nehat Idrizi, në një intervistë ka shpalosur detaje se si i lindi ideja për kandidaturën e tij. Ai po ashtu tregoi nëse ka përkrahje për ta marrë këtë pozitë, shkruan Indeksonline.
Idrizi tha që idenë për këtë post e shtyu ndërgjegjja patriotike, përvoja dhe përkushtimi për zbatimin e Kushtetutës së Kosovës. “Ideja që të ofrohem për postin e presidentit më ka shtyrë nga ndërgjegja ime patriotike, përvoja e akumuluar e deritashme si edhe përkushtimi për zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve, një mënyrë që i shërben komunitetit qytetar të Republikës së Kosovës. Miqtë e mi të shumtë vendorë kanë qenë ata të cilët më kanë nxitur që të shpallja kandidaturën për këtë pozitë. Vendi ynë ka nevojë për një president në pajtim me përshkrimin Kushtetues”.
Ai po ashtu tha se kandidatura e tij do të përkrahet nga së paku 30 deputetë.
“Kandidatura ime do të përkrahet së paku prej 30 nënshkrimeve të deputetëve të domosdoshëm ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta. Fillimisht kandidatura ime do të pranojë nënshkrimet nga të gjitha subjeket politike shqiptare apo të shumicës prej tyre. Miqtë e mi kanë kontakte me deputetë, mund t’ju them se do të sigurohen se paku 30 nënshkrime”.
Idrizi e sheh veten favorit për këtë post, pasi sipas tij, në situatën në të cilën gjendet Kosova, duhet një president apolitik.
“Për rrethanat aktuale në të cilat gjendet Kosova, është më rëndësi që në këtë moment të kemi një president apolitik. Ne edhe nga praktika e kaluar kemi pasë raste kur në qoftë se një person vjen direkt nga politika, lidhet edhe nga vetë përceptimi i publikut është një pozicion jo adekuat që ta kryjë këtë mision siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.
Të mos shkohet në zgjedhjet të reja, të zgjidhet presidenti brenda afateve kushtetuese, sepse do të ketë pasoja për Kosovën. Do të hyjmë në një krizë të re institucionale. Një krizë e tillë do të ishte e rrezikshme“, tha ai në RTK.